8.2 C
New York
Wednesday, March 5, 2025

Buy now

Opozita e pakënaqur me Qeverinë Kurti, kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje

- Advertisement -

Kanë kaluar më shumë se dy vite që kur Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje erdhi në krye të Qeverisë së Kosovës. Gjatë tërë kësaj kohe nga opozita janë deklaruar të pakënaqur me qeverisjen e Kurtit. Ndër të tjera në disa deklarata të fundit nga opozita kanë ritheksuar deklaratat për nevojën e zgjedhjeve të reja në Kosovë.

Qeveria Kurti e nisi punën me premtim për reformash të thella, me synimin për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën në qeverisjen e vendit. Megjithatë, kur ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit, pushteti aktual po përballet me kritika të vazhdueshme nga partitë opozitare.

Në shumë argumente të opozitës, ekzekutivi nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti mbetet i paefektshem dhe i paaftë për të zgjidhur problemet me të cilat po përballen qyetarët. Në disa deklarime të fundit, opozita ka bërë thirrje për zgjedhje të reja në Kosovë, duke pretenduar se qeverisja e Kurtit nuk po funksionon siç duhet.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se Qeveria Kurti ka treguar paaftësi totale dhe sipas tij kjo qeveri ka dal të jetë një mashtrim i madh.

Lekaj në një prononcim për Gazetën Nacionale ka thënë se stagnimi politik, ekonomik dhe degradimi në çdo sferë tjetër sociale, është sinjal që kësaj qeverie të paaftë duhet t’i vije fundi.

“Kjo qeveri na del të jetë mashtrimi më i madh. Përveç që ka treguar paaftësi totale, e ka humbur edhe kauzën e saj morale në luftën kundër korrupsionit, e mos të flasim për deformim total të qëndrimeve politike e diplomatike. Nuk është këtu as zotimi e as besimi i madh qytetar që ka mandatuar këtë qeveri. Stagnimi politik, ekonomik, e degradimi në çdo sferë tjetër sociale, është sinjal që kësaj qeverie të paaftë e të kompromituar, duhet t’i vije fundi. AAK është e përgatitur në cdo kohë të shkojë në zgjedhje” – ka thënë Lekaj për Nacionalen.

Nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Ariana Musliu-Shoshi në një intervistë për Gazetën Nacionale kishte deklaruar se kryeministri Albin Kurti bën mirë që ta kthej mandatin tek qytetarët dhe sipas tij të përballët me qytetarët që i ka mashtruar.

“Kryeministri Kurti do të ishte mirë që ta kthej mandatin tek qytetarët dhe të përballet me votuesit e tij, të cilët i ka mashtruar. Mirëpo, unë nuk pres që një gjë e tillë të ndodhë, Albin Kurti e ka dëshmuar tanimë që gjithë gënjeshtrat e mashtrimet nder vite i ka bërë vetëm për të ardhur në pushtet. Ai tanimë i ka shkelur të gjitha parimet e tij, dhe atë pa iu trembur syri.” – ka thënë Musliu-Shoshi.

Ajo ka thënë se Kurti nuk mund të rrezikonte karrigen e tij dhe xhipat e zi për të shpallur zgjedhje.

“Shpalljen e zgjedhjeve mund ta bëj vetëm një njeri parimor, e Albin Kurti nuk është tillë. Në asnjë formë ai s`do ta rrezikonte karrigen e tij dhe xhipat e zi – të cilët e mbajnë lartë nga votuesit e tij – për të lejuar qytetarin të vendos për diskrepancën në mes fjalëve dhe veprimeve të njeriut që udhëheq me ekzekutivin e vendit.” – kishte deklaruar deputetja e PDK-së.

I ftuar në RTV21, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të reja.

Selmanaj ka shprehur dyshimet e tij në raport me orientimin politik të Kurtit pas marrëveshjes së Ohrit.

Ai tutje është shprehur se çdokush tjetër pos kësaj klase politike, do të jenë më të përgjegjshëm në qeverisje.

“LDK-ja ka treguar edhe në të kaluar se është e përgjegjshme në procese të rëndësishme për vendin nuk eksperimenton, hynë në labirinthe me shumë të panjohura që mund të sjellin situata të caktuara. Me ata që unë jam bind me këtë kryeministër dhe sidomos me marrëveshjen e Ohrit, dhe me sjelljet e tij në raport me veriun e vendit, unë kam filluar të dyshoj në orientimin e tij politik dhe objektivat e tij për vendin. Kam përshtypjen se nuk është në shërbim të interesave të vendit. Unë mendoj se kushdo tjetër përpos këtij kryeministri dhe kësaj klase politike që udhëheqin vendin, do të sjellën më të përgjegjshëm në ata.” – ka thënë Selmanaj.
Përkundër deklaratave nga opozita, analisti Halil Matoshi në një prononcim për Gazetën Nacionale ka thënë se zgjedhjet tash nuk janë zgjidhje, dhe sipas tij janë të pamundshme.

Matoshi ka thënë se vetëm nëse Kurti jep dorëheqje për ta shmangur zbatimin e marrëveshjes, atëherë mund të ketë zgjedhje

“Zgjedhjet tash nuk janë zgjidhje, por edhe janë të pamundshme, veç nëse vet Kryeministri Kurti jep dorëheqje për ta shmangur zbatimin e marrëveshjes, përkatësisht Asociacionin. Porse, unë nuk shoh asnjë mundësi për zgjedhje të jashtëzakonshme nacionale!” – ka thënë Matoshi.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit