28.4 C
New York
Friday, July 18, 2025

Buy now

Opozita e brengosur për takimin Kurti-Vuçiq: Do të jetësohet “Zajednica”

- Advertisement -

Përfaqësuesit e opozitës kanë shprehur drojën e tyre se në këtë takim do të jetësohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

 

 

Ata kanë bërë me dije se në këtë takim kryeministrit Kurti vetëm do t`i paraqitet draft-statutit i Asociacionit.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës nuk e di se çfarë drafti i statutit do t`i paraqitet në takim.

 

 

“Në takimin e 2 majit do të diskutohet draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që Kurti e ka quajtur Zajednicë. Madje për Asociacionin, kryeministrit Kurti do t’i paraqitet draft-statuti i këtij mekanizmi pa e takuar grupin punues të Kosovës, pa e ditur përbërjen sipas tyre të këtij grupi punues dhe pa e ditur se çka kanë punuar, dhe në çfarë niveli ka mbërri niveli i këtij draft-statuti”, ka shkruar Haziri në profilin e tij në “Facebook”, raporton Nacionale.

Sipas tij, deri me tani Kurti është munduar t`i kamuflojë disa ndryshe në proces, por nuk ia ka arritur.

“Me marrëveshjen e Ohrit, Kurti u mundua ta kamuflojë si ndryshim i marrëveshjes 2013-2015. Gjysma e Qeverisë aktuale thotë nuk ka Asociacion, gjysma tjetër thotë ka. Me ndërmjetësin ndërkombëtar ka bërë marrëveshje, para deputetëve zbulon ‘tradhtarët’ e para popullit nuk ka bërë asgjë!”, ka vlerësuar Haziri.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka treguar se Kosova nuk do të ketë shumë hapësirë për të manovruar në lidhje me draft-statutin.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se në këtë takim do të sqarohet çdo gjë rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe kompetencat që do të ketë ai.

“Jo vetëm në vija të trasha, por çdo gjë do të sqarohet. Ajo që na inkurajon është qëndrimin i ambasadorit amerikan në OKB, i cili në një far mënyre e tha se duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ajo që duhet të sigurohemi është produkti final, sepse tani nuk po flasim për ide, por për statut. Pra, ai duhet të kalon nëpër procedura të brendshme. Që i bije se duhet të shqyrtohen në Gjykatë Kushtetuese. Ne duhet të sigurohemi që statuti e Asociacionit të bëjmë në përputhje me Kushtetutën tonë”, ka thënë Haradinaj.

I pari i AAK-së ka vlerësuar se tani është shumë vonë që propozimet e palëve të merren parasysh nga ndërmjetësit.

“Unë e shoh një hapësirë shumë të vogël manovruese. Sepse nuk ndodh negocimi kur ke propozim prej ndërmjetësit. E vetmja mënyrë e suksesshme e arritjes te rezultati final është kur t`i herët, pra se me fillu procesi zyrtar e propozon një rezultat të një procesi që ka me fillu dhe bashkëpunojnë me aleatët me arritë deri atje. Nëse ti iu ke ikur aleatëve gjithë kohen, atëherë është e pamundshme që kur të vijnë ata me propozim, ti me nxjerr propozim tënd”, ka thënë ai.

Kurse, sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk po tregon se kush ia ka shkruar draft-statutin.

“Të gjithë po e dijnë dhe po e tregojnë se çka do të ndodhë me 2 maj, por vetëm Albin Kurti po mundohet ta mbajë fshehtë. Me 2 Maj, Albin Kurti po e jetëson Zajednicën! Kryeministër, dil dhe trego për 2 Majin edhe se kush po ta shkruan Zajednicën”, ka shkruar Gjoshi në profilin e tij në “Facebook”.

Dy temat kryesore të takimit

Dy temat kryesore të takimit të sotëm do të jenë draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe çështja e të pagjeturve. Për këto dy tema ka folur edhe kryeministri Albin Kurti para takimit.

Ai është shprehur i lumtur të shoh se cila do të jetë përmbajtja e draft-statutit.

“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shohë se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë nëse do të ma paraqitnin fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që ajo që është rënë dakord tashmë më shkurt 27 në Bruksel është përmbushur ekzistimi i një niveli të duhur të vetëmenaxhimit të komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve.” – ka thënë ai.

Megjithatë, ai ka insistuar se temë fillestare e takimit do të jetë çështja e të pagjeturve.

“Duhet një deklaratë e përbashkët si pikënisje për një takim të nivelit të lartë.” – ka thënë Kurti.

I pari i qeverisë, para takimit, ka pasur një telefonatë nga Këshilltari i Lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili i ka kërkua Kurti të iu mbahet zotimeve për dialogun.

Takimi i sotëm, i cili do të fillon në ora 18:00, do të jetë takimi i tretë i nivelit të lartë që është realizuar këtë vit.

Në takimit e parë të këtij viti, më 27 shkurti, ishte arritur pajtimi i Kosovës dhe Serbisë për Planin e BE-së. Ndërsa, në takimin e dytë, më 18 mars, i cili është mbajtur në Ohër, palët janë dakorduar për aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Të ngjashme

Të fundit