Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë shprehur të bindur se Kushtetuesja do ta rrëzoj këtë ligj.
Sipas tyre, Kushtetuesja do të vërtetojë vërejtjet e tyre.
Avokati i PDK-së, Faton Fetahu, ka treguar se pse Kushtetuesja do ta anulojë këtë ligj.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se për këtë çështje do të dërgojë edhe komente në gjykatë.
“Jam i bindur thellë që jo vetëm do pranohet për shqyrtim në merita por edhe do të konstatohen disa shkelje kushtetuese. Kjo, falë besnikërisë që ka gjykata ndaj vlerave e parimeve demokratike e ndaj jurisprudencës së vetë dhe asaj evopiane. Por, besoj shumë (në këtë rast) edhe ndaj komenteve dhe pretendimeve që do ti shkojnë nga palët e përfshira – përveç tjerësh – edhe nga grupi parlamentar i PDK, ku autori i këtyre rreshtave do të kujdeset për një gjë të tillë”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka përmendur edhe fushat në të cilat Qeveria ka bërë shkelje.
“Së pari, ligji i kontestuar, në pikëpamje procedurale nuk i ka përmbushur kërkesat e shqyrtimit parlamentar në komisionet e përhershme parlamentare të Kuvendit sepse duke u trajtuar në procedurë të përshpejtuar ka shkelur disa nene të Rregullores së Kuvendit, duke u miratuar pa u shqyrtuar fare në dy komisione të përhershme. Në këtë mënyrë procedura që i ka paraprirë miratimit të tij, ka rezultuar me shkelje esenciale të dispozitave të Rregullores dhe ka cenuar edhe dy nene konkrete të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Fetahu, duke shtuar se edhe në aspektin përmbajtjesor lista e shkeljeve të pretenduara është e gjatë.
“Ky ligj, në mënyrë shqetësuese ka përligjur shkeljen e disa prej vlerave e parimeve kushtetuese. I tillë është rasti me parimin e sundimit të ligjit si një ndër vlerat e rendit kushtetues, i cili përveç tjerash, ngërthen në vete (i) respektimin e të drejtave të njeriut dhe (ii) ndalimin e diskriminimit dhe (iii) barazinë para ligjit – të cilat, përveç që paraqesin të drejta themelore të njeriut, ato gjithashtu paraqesin edhe koncepte të sundimit të ligjit.”, ka deklaruar ai.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur optimist se ligji në fjalë do të anulohet.
Ai ka thënë se Kushtetuesja do ta vërtetojë se përmes këtij ligji është synuar rrëzimi i institucioneve.
“Do të vërtetohet se përmes këtij ligji u synua rrënimi i pavarësisë së institucioneve themeltare si Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit, gjyqësori, si dhe vet adminstrata publike. Do të konstatohet se janë shkelë parimet bazë të të drejtave kushtetuese, të drejtave të njeriut, ku pagat mund të ulën vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. As 220 faqe nuk do të mjaftonin se sa thellë shkelin në rend, siguri e kushtetutë. Pra do të konstatohet kontrabanda, politizimi dhe mësymja për dominim. Shkurt edhe një hap i shëmtuar dhe përjashtues”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.
As anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, nuk dyshon në verdiktin e gjykatës për këtë ligj.
Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të vendosej drejtësi për të punësuarit e sektorit publik.
“Ne besojmë që Gjykata Kushtetuese do të jap drejtësi, do të rrëzojë këtë ligj dhe do të ruajë të drejtat e punëtorëve në sektorin publik në atë mënyrë që paga e tyre të jetë e dinjitetshme për punën që ata e bëjnë dhe po ashtu të mos ketë kaq shumë diskriminime në sektorin publik ashtu siç ka propozuar kjo qeveri. Prandaj, ne presim që Gjykata Kushtetuese ta kthejë prapa është këtë ligj duke vërtetuar edhe njëherë se kjo qeveri vazhdon të jetë një shkelëse serike, përsëriste, recidiviste e Kushtetutës”, ka thënë Tahiri për KP.
Ai ka bërë me dije se Qeveria Kurti përmes këtij ligji ka dështuar t`i rrisë pagat për sektorin publik.
“Kjo qeveri jo që vetëm dështojë të rrisë pagat në sektorin publik ashtu siç ishte kërkesë e punëtorëve në sektorin publik por edhe bëri padrejtësi të mëdha me Ligjin e pagave duke krijuar një disharmoni dhe duke shkelur të drejtat e punëtorëve në sektorin publik”, është shprehur ai.
Arsyetimi i Avokatit të Popullit
Pas shumë ankesave, Avokati i Popullit dje ka vendosur që këtë ligj ta dërgon në Gjykatë Kushtetuese.
Përmes një njoftimi për medie, ky institucion ka treguar se ka pranuar mbi 100 ankesa, të cilat e kanë kundërshtuar ligjin në fjalë.
“Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, që nga hyrja në fuqi e Ligjit nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik (më tej: Ligji i kontestuar), ka pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik. Ankesat e pranuara kryesisht kanë të bëjnë me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Ankesat e pranuara janë parashtruar nga subjekte të sektorit publik, si ankesa grupore, individualisht si dhe nëpërmjet sindikatave”, është thënë në njoftimin e AP.
Ky institucion ka përmendur disa nga nenet e ligjit, për të cilat mendon se nuk në përputhje me Kushtetutën.
“Sipas Avokatit të Popullit, neni 2, paragrafi 3; neni 6, paragrafi 6; neni 41, paragrafi 3 dhe paragrafi 4, të Ligjit të kontestuar, si dhe shtojcat e tij që kanë të bëjnë me Sistemin Gjyqësor, Sistemin Prokurorial, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Nëpunësit Publikë të Arsimit Universitar dhe Parauniversitar, Nëpunësit Publikë të Sistemit Shëndetësor, Kuvendin e Kosovës, Institucionet e Pavarura Kushtetuese, Ministri, Agjenci të Pavarura, Agjenci dhe Rregullator, Agjenci Ekzekutive dhe të Shërbimit Publik, Komunat, Zyra Kombëtare e Auditimit, Auditimi i Brendshëm nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese, i cili duket se është shpërfillur me rastin e hartimit të Ligjit të kontestuar”, është thënë në njoftimin e AP-së, raporton Nacionale.
Rrëzimi i këtij ligji nga Kushtetuesja do të jetë një goditje e madhe për Qeverinë e Kosovës. Kjo pasi në fund të muajit të kaluar, kjo gjykatë ka anuluar edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial. Rrëzimi i këtij ligji ka nxitur reagime të shumta të qeverisë.