Vonesat në ekzekutimin e pagave dhe gjendja e rënduar financiare në ndërmarrjen Trepça, ka bërë që partitë opozitare ta drejtojnë gishtin kah Qeveria Kurti, ndërsa mazhoranca i mohon vonesat.
Krahas këtyre problemeve, opozita thekson se ka probleme edhe sa i përket borxheve ndaj operatorëve ekonomik, të cilët e kanë sjellë para kolapsit. Nga VV-ja përmendin subvencionimin ndër vite.
Kryetari i Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, thotë për Ekonomia Online se premtimet e Qeverisë Kurti s’janë realizuar asnjëherë dhe se gjendja e rënduar është për fajin e tyre.
“Njëri nga premtimet shumë të mëdha me pompozitet ishte i qeverisë Kurti që do ta rikthej, do ta rivitalizoj, do ta zhvillojë dhe profilizojë ndërmarrjen minerare Trepça. Tashmë po del që edhe në fund të mandatit rezultati është zero. Ndërmarrja është një situatë jashtëzakonisht të vështirë financiare për shkak të keqmenaxhimit të skajshëm, për shkak të politikave jo adekuate dhe jo profesionalizmit. Për shkak të neglizhencës dhe përbuzjes nga institucionet e shtetit, asnjë nga premtimet për ndërmarrjen Trepça, tash e katër vite Qeveria nuk i është përmbajtur edhe pse kishte paralajmëruar edhe pse kishte ligj, që kishim votuar ligjin për investime kapitale rreth 20 milionë as një cent nga këto investime nuk ka shkuar në ndërmarrjen Trepça”, ka thënë ai.
Krahas mospagesës, Shala vëren edhe teknologjinë e vjetër dhe kushtet e rënda të punës. Për të gjitha këto sipas Shalës kanë bërë që ky gjigand metalurgjik të jetë para kolapsit.
“Aktualisht minatorët kanë plotësisht të drejtë që bëjnë kërkesa për paga, edhe ajo pjesa më elementare paga tashmë po ju mungon minatorëve. Shkalla e amortizimit në ndërmarrjen Trepça po rritet dita ditës dhe është jashtëzakonisht më shqetësuese. Teknologji e vjetruar dhe qeveri krejtësisht larg saj. Në këtë situate çfarë është ndërmarrja situata definitivishte është shumë e pa qartë për fatin e saj. Çështja e mungesë së politikave dhe menaxhimit efikas dhe profesional ka sjell te rënia e prodhimit, ne esencë kur nuk ka prodhim, edhe qeveri nuk ka subvencionuar, nuk ka kryer obligimet e veta tashmë vërehet kriza e mjeteve financiare. Trepça edhe ashtu ka dhjetëra e dhjetëra miliona euro borxh që operatoreve të jashtëm ekonomik dhe nuk ka prodhim sepse nuk ka menaxhim, de fakto jemi para kolapsit ekonomik dhe financiar të ndërmarrjes”, ka thënë ai.
Kritika për gjendjen në Trepçë ka edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj. Ajo përmend Ligjin për Trepçën të votuar në ish-qeverinë Haradinaj.
“Trepça është një sinonim i lirisë, i pavarësisë së Kosovës, gjithë jemi mburrur me Trepçën dhe e kemi kërkuar në qeverinë Haradinaj është bërë pavarësimi i Trepçës dhe më në fund me ligje Trepça i takon Kosovës. Ndërsa mos pagesa e pagave të punëtoreve të Trepçës të cilët me sa kate punon në në dhe është e pa drejtë, është jo etike, është një mashtrim i radhës ata duhet të paguhen me rregull, duhet ti marrin paga me rregull. Sepse nëse e krahasojmë çfarë inflacioni ka Kosova kjo është e tmerrshëm, njerëzit edhe me paga të rregullta është vështirë të ja dalin një muaj kalendarik për të mbijetuar sepse nuk ka paga të dinjitetshme. Ndërsa edhe po mos ti marrin ato paga unë nuk e di se është në pyetje ekzistenca e shumë familjeve edhe shumë punëtoreve që punojnë në Trepçë”, ka thënë ajo.
Pagesën e pagave e ka kërkuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, veçse ky i mohon akuzat për gjendjen e rënduar në Trepça. Thotë se gjendja e Trepçës është shkak i keqqeverisjes nga e kaluara.
“I bëj thirrje të gjithëve që t’i përmbahen obligimit kontraktual, minatorët duhet të paguhen me kohë. Sigurisht edhe punëtoret aty duhet ta kenë mirëkuptimin ti lejojnë edhe menxhmentitn veprime që ju mundëson pagesën në kohë. Por gjithsesi pagesa duhet të behet në kohë për minatorët është shumë me rendis sepse është rregull bazë. Në anën tjetër ndërmarrja duhet të reformohet deri në atë mas sa që mund të prodhoj, por në të njëjtën kohë edhe t’i paguaj pagat me kohë. Për këtë arsye ka nevojë edhe menaxhmenti të propozoj solucione të reja”, thotë Muja.
Sipas tij, Qeveria Kurti Trepçën e ka marrë me miliona euro borxhe, e që janë dashur sipas tij të paguhen nga kjo qeverisje.
“Nuk është ashtu ne e kemi marr Trepçën saktësisht me 20 milionë euro borxh që i ka lënë qeveritë e kaluar, saktësisht 20 milionë euro borxh. Mendoj që ky borxh është duke penguar ndërmarrjen me ec tutje sepse në ndërkohe që t’i gjenerojë të hyra, po ashtu duhesh me i përfunduar edhe obligimet paraprake që i ke pasur ndaj furnitorëve dhe ndaj institucioneve të tjera. Kjo është pak duke e vështirësuar edhe operimin”, ka deklaruar Muja, teksa përmend subvencionimin me mbi 25 milionë euro.
“E dyta sa i përket investimeve nuk është e vërtetë ajo çfarë unë e di që qeveria e Kosovës në baza vjetore duhet të ketë deri me tani, që nga ardhja e qeverisë Kurti duhet të jenë të disbursuar diku mbi 25 milionë euro. Në ndërkohë që sa i përket planit është miratuar edhe një kredi për investime kapitale, megjithatë duhet të bazohemi në plane te prodhimit. Do të thotë duhet të ketë një plan konkret, një ristrukturim konkret që i mundëson ndërmarrjes të operoj në këmbët e veta. Është miratuar kredia nga qeveri e Kosovës në vlerë prej 40 milionë euro”, thotë ai.