Policia, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar “Syrigana”, i cili ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, pas një pune intensive hetimore, kanë zhvilluar veprime lidhur me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, në Skenderaj, gjatë periudhës maj–qershor 1998.
Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante, ndërsa janë identifikuar edhe personat e dyshuar, për të cilët është përpiluar kallëzim penal dhe është dorëzuar në Prokurorinë Speciale. Në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin special, janë ndërmarrë veprime shtesë hetimore në përputhje me autorizimet ligjore, çka ka çuar në autorizimin për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Operacioni është realizuar sot, më 1 mars 2026, duke filluar nga ora 06:00, në gjashtë lokacione të ndara – pesë në Komunën e Skenderajt dhe një në Mitrovica e Veriut – ku janë arrestuar pesë persona të dyshuar.
Gjatë zbatimit të operacionit, me urdhër verbal për bastisje të siguruar përmes prokurorit special dhe të miratuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, janë kryer bastisje në objekte banimi dhe objekte përcjellëse.
Gjatë bastisjeve janë konfiskuar një armë e gjatë gjysmë-automatike SKS (7.62 x 39 mm), një armë brezi e tipit Zastava M-57 (7.62 x 25 mm), dy karikatorë dhe 77 fishekë të kalibrit 7.62 x 25 mm, një pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi, si dhe uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave.
Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet pritet të vazhdojnë në drejtim të procedurave të mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në zbardhjen e krimeve të luftës dhe në sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, duke garantuar sundimin e ligjit dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.





