Agjencitë e Kombeve të Bashkuara të martën kërkuan nga donatorët 4.4 miliardë dollarë si ndihma humanitare për Afganistanin për vitin 2022, duke i cilësuar si jetike për të ardhmen e vendit pas trazirave në kohën e ardhjes së talibanëve në pushtet e largimit të forcave amerikane.
Kombet e Bashkuara thanë se shifra e kërkuar është më e madhja që është kërkuar ndonjëherë për një shtet dhe është tri herë më e madhe se shuma që ka marrë vitin e kaluar, kur ra nga pushteti qeveria afgane e përkrahur nga ShBA-ja.
“Pa dhurimin e kësaj shume, nuk do të ketë të ardhme, kemi nevojë që të bëhet kjo, përndryshe do të ketë largim masiv, do të ketë vuajtje”, tha shefi i ndihmave në OKB, Martin Griffiths.
Tërheqja e papritur e ndihmave të huaja vitin e kaluar pas fitores së talibanëve në gusht e la ekonominë e brishtë të Afganistanit buzë kolapsit. Çmimet e ushqimit u rritën dhe uria u përhap në popullsi, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Sanksionet e Perëndimit kundër talibanëve gjithashtu e ndaluan kalimin e furnizimeve themelore të ushqimit dhe ilaçeve, ndonëse një gjë e tillë është lehtësuar pas përjashtimeve të miratuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe Uashingtoni në dhjetor.