Disa organizata të shoqërisë civile kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, që Kimete Gashi, anëtare e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurorisë, të propozohet për shkarkim, e cila njëherit është kryetare e Panelit Shqyrtues në rastin e insulinave.
OJQ-të përmes një komunikate për media, cilësojnë se ky është vendim selektiv, i cili amniston nga përgjegjësia anëtarë të tjerë të Bordit.
“OJQ-të i bëjnë me dije Qeverisë së Republikës së Kosovës se votimi në shqyrtimin e prokurimit është i ndërtuar sipas parimit “një anëtarë, një votë”, pavarësisht rolit të anëtarit në panele, siç janë kryetar, referues apo anëtar.” – bëhet e ditur në komunikatë.
Tutje, thuhet se vendimi i Qeverisë cënon parimet Kushtetuese të vendit.
“Në frymën e Ligjit për Prokurimin Publik në Kosovë dhe Rregullores së Punës së OShP-së, vota e anëtarëve të paneleve shqyrtuese është e barabartë dhe duhet të bëhet sipas bindjes së lirë së anëtarit në raport me provat dhe argumentet e çështjes kontestimore. Në këtë drejtim, vendimi i sotshëm i qeverisë që anëtaren e OShP-së, Kimete Gashi, t’ia propozoj Kuvendit për shkarkim, me arsyetimin se ajo e ka udhëhequr panelin shqyrtues, i cili përmes një vendimi ka mundësuar importin e insulinave pa autorizim-marketing, është diskriminues dhe selektiv, si dhe cënon parimet Kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është ai i barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit.” – thuhet në komunikatë.
Reagimi i plotë:
Të gjithë anëtarët e OShP-së që votuan pro importit të insulinave pa autorizim – marketing duhet të propozohen për shkarkim, jo vetëm Kimete Gashi.
Organizatat e shoqërisë civile (OJQ-të) të poshtëshënuara reagojnë kundër vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës që vetëm anëtarja e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (tutje OSHP) respektivisht Kryetarja e Panelit Shqyrtues në rastin e insulinave, Kimete Gashi, të propozohet për shkarkim nga ana e Kuvendit, duke e vlerësuar si vendim selektiv, i cili aministon nga përgjegjësia anëtarët e tjerë të Bordit të OShP-së që votuan njëjtë sikurse e propozuara për shkarkim.
OJQ-të i bëjnë me dije Qeverisë së Republikës së Kosovës se votimi në shqyrtimin e prokurimit është i ndërtuar sipas parimit “një anëtarë, një votë”, pavarësisht rolit të anëtarit në panele, siç janë kryetar, referues apo anëtar.
Në frymën e Ligjit për Prokurimin Publik në Kosovë dhe Rregullores së Punës së OShP-së, vota e anëtarëve të paneleve shqyrtuese është e barabartë dhe duhet të bëhet sipas bindjes së lirë së anëtarit në raport me provat dhe argumentet e çështjes kontestimore. Në këtë drejtim, vendimi i sotshëm i qeverisë që anëtaren e OShP-së, Kimete Gashi, t’ia propozoj Kuvendit për shkarkim, me arsyetimin se ajo e ka udhëhequr panelin shqyrtues, i cili përmes një vendimi ka mundësuar importin e insulinave pa autorizim-marketing, është diskriminues dhe selektiv, si dhe cënon parimet Kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është ai i barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit.
Roli i Kimete Gashit, sipas procedurës, si kryetare e paneleve shqyrtuese, në rastin e shqyrtimit të tenderit për insulina, është administrativ, bazuar në rregulloren e OShP-së. Respektivisht, pasojat e vendimeve të nxjerra nga panelet e kryesuara nga ajo, nuk mund t’i faturohen vetëm asaj duke pas parasysh se vendimmarja në këto shqyrtime është kolegjiale. Rrjedhimisht, të gjithë anëtarët e paneleve shqyrtuese, që kanë votuar njëjtë si Kimete Gashi, duhet të propozohen për shkarkim, dhe ndaj të njëjtëve duhet të kërkohet llogaridhënie institucionale dhe jo të amnistohen.
Andaj, OJQ-të e poshtëshënuara kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të mos aplikojë qasje selektive ndaj anetarëve të OShP-së, të plotësojë/ndryshojë vendimin për propozimin për shkarkim edhe me anëtarët e tjerë të OShP-së që përmes votimit të tyre kanë mundësuar që në Kosovë të importohen insulina pa autorizim – marketing.
OJQ-të nënshkruese:
Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova
Demokraci Plus – D+
Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS
Iniciativa për Progres – INPO
Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD
Lëvizja – FOL