Një javë pas tragjedisë së madhe në Koçan, me lule në duar, qytetarët e Ohrit mbajtën 60 minuta heshtje nga ora 12:00 deri në 13:00 në sheshin e qytetit, për të nderuar 59 viktimat.
Ata thonë se kërkojnë drejtësi nga institucionet për jetët e humbura dhe se tani e kuptojnë se sa të pasigurta paskan qenë vendet ku kanë dalë.
“Ka disa që janë të sigurt dhe janë të kujdesshëm, por shumica prej tyre nuk i kushtojnë vëmendje sigurisë sonë. Paratë janë më të rëndësishme për ta. Ata do të lejojnë më shumë njerëz të hyjnë sesa mund të zë, për të fituar para, dhe kjo nuk është e sigurt. Unë jam 18 vjeçe tani, por më kanë lënë në klube kur isha 15 dhe 16 vjeçe”, është shprehur një studente.
“Nuk ishim të vetëdijshëm nëse po e rrezikonim veten apo jo, dhe tani me këtë incident tragjik, kuptojmë se shumë herë, kur shkonim në ato klube apo në koncerte, ishim në rrezik shumë të madh dhe nuk ishim të vetëdijshëm për këtë dhe kjo duhet të ndryshojë. Duhet tërhequr vëmendja të gjithë banorëve për ndryshim”, tha një tjetër.
Të pranishëm ishin edhe prindërit, të cilët kishin shkuar me fëmijët e tyre të mitur.
“Mesazhi im për institucionet është sanksion për të gjithë ata që nuk respektojnë dhe anashkalojnë ligjin dhe të ndalemi njëherë e mirë me termin e kam njeriun kudo, kam miqësinë dhe kjo situatë na solli te kjo. Meqë kemi mbetur të jetojmë në këtë vend, shpresojmë që këto gjëra të kapërcehen dhe jetojmë me shpresë, se një ditë do të zgjidhen të gjitha rrethanat dhe njerëzit do të jetojnë në një sistem që është i qëndrueshëm”, tha një prind.
Qytetarët në librin e ngushëllimeve shprehën ngushëllimet për familjet e të ndjerëve.
Tubimi u organizua nga bashkësitë e të rinjve dhe studentëve, së bashku me Kuvendet Studentore dhe Këshillin Rinor Lokal./Alsat.mk/