Gazeta SCANNER ka vazhduar përgatitjet për zbatimin e projektit “Fuqizimi i bashkëpunimit komunitar në Kosovë: Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të komuniteteve”, i cili mbështetet nga Zyra për Çështjen e Komuniteteve në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Drejtoresha e gazetës SCANNER dhe koordinatorja e projektit, Afërdita Maliqi ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e komuniteteve, ku i ka njoftuar ata për qëllimin e projektit dhe implementimin e tij.
Fillimisht, ajo është takuar me zëvëndëskryesuesin për Komunitete në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Bashkim Krasniqi. Në këtë takim, Maliqi e ka njoftuar Krasniqin në detaje për projektin në fjalë, mënyrën e implementimit, duke përfshirë edhe mbajtjen e trajnimeve.
Ndërsa Bashkim Krasniqi, ka vlerësuar pozitivisht këtë projekti, duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm për komunitetin që përfaqëson. Në këtë kontekst, Krasniqi i ka ofruar mbështetje Maliqit për realizimin e këtij projekti.
Po ashtu, Maliqi është takuar me përfaqësuesen e Qendrës Rinore “Multiethnic Culture of Kosovo (MCF), Sanella Gashi, me të cilën gjithashtu ka diskutuar për projektin “Fuqizimi i bashkëpunimit komunitar në Kosovë: Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të komuniteteve”. Edhe nga Gashi është vlerësuar pozitivisht ky projekt si dhe ka afruar mbështetjen për realizimin e tij.
Projekti “Fuqizimi i bashkëpunimit komunitar në Kosovë: Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të komuniteteve” synon të rrisë bashkëpunimin në mes të komuniteteve në Kosovë, duke organizuar aktivitete dhe trajnime për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të tyre.
Nëpërmjet angazhimit të pjesëtarëve të komunitetit, synohet ngritja e nivelit të bashkëpunimit në mënyrë që të krijohet një mjedis i përkrahjes ndërkomunitare.
Po ashtu, nëpërmjet këtij projekti synohet krijimi i një klimë të mirëbesimit dhe bashkëpunimit në mes të pjesëtarëve të komuniteteve në Kosovë.
Gjithashtu, nëpërmjet këtij projekti synohet që të ndihmohen komunitetet në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe sfidave të ndryshme që mund të shfaqen në marrëdhëniet ndërmjet tyre.
Ky projekt synon edhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, duke adresuar edhe nevojat specifike të tyre.
Pra, qëllimi kryesor është fuqizimi i komuniteteve në Kosovë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për to, si në aspektin edukativ, shëndetësor, ekonomik dhe të mirëqenies.