“Oficeri na tha merreni një cope letër nga paketa e cigareve dhe shkruajeni emrin”, Blerim Latifi ndan rrëfimin e tij për Kosharen

- Advertisement -

Sot bëhen 27 vjet nga Beteja e Koshares, një nga betejat më të rëndësishme të luftës për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Natën para se të niste kjo betejë e ka kujtuar ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Latifi, i cili tregoi për përgatitjet që ishin bërë dhe udhëzimet për t’i shkruar emrat e tyre në një copë letre dhe për t’i futur në xhep për t’i identifikuar në rast se vriteshin.

Latifi tregoi se oficeri i brigadës i kishte pyetur edhe njëherë nëse ishin të sigurt për të marrë pjesë në këtë betejë meqenëse lufta ishte vullnetare. Ai tha se asnjë prej ushtarëve nuk u zmbraps dhe se të gjithë shkuan në betejë.

Postimi i plotë:

Një natë para se të futeshim në frontin e Kosharës, qëndruam në fshatin Padesh, i cili ishte ngjitur me zonën kufitare. Natën e kaluam në disa tenda, të cilat i kishte ngritur prapavija e brigadës sonë. Natyrisht, asnjëri nga ne nuk pati gjumë në sy, sa për shkak të emocioneve që kishim, aq edhe për shkak të zhurmës së madhe që bënin avionët e NATO-s që fluturonin mbi Kosovë.

Në mëngjes u rreshtuam për nisje. Para nesh doli një oficer i brigadës, i cili kishte për detyrë të na jepte udhëzimet e fundit para hyrjes në luftë. Pjesën shokuese të ligjëratës së tij udhëzuese e kishte lënë për fund. Ai na tha:

– Merreni nga një copë nga paketa e cigareve dhe shkruajeni në të emrin, mbiemrin tuaj, vendlindjen tuaj dhe futeni në xhepin e djathtë të uniformës, sepse nëse bie puna me ju tërheq, na duhet ta dimë identitetin tuaj.

Fjalët e tij na ranë si rrufe. Ato na paralajmëronin se po hynim në një betejë ku, me siguri, dikush nga ne do të vritej gjithsesi, nëse jo të gjithë.

Oficeri e pa se ishim zverdhur në fytyrë dhe mori sërish fjalën: Keni 10 minuta të mendoheni. Kush nuk e ndjen veten të gatshëm për luftë, le ta thotë tash. Ne e lirojmë dhe kurgjo kërkujt; kjo është luftë vullnetare, askënd s’e detyrojmë me zor.

Një heshtje e plotë e mbuloi gjithë njësitin tonë. Kur e pa se asnjëri nga ne nuk ishte lëkundur në synimin për të hyrë në luftë, oficeri ia bëri me shenjë një ushtari, i cili kishte marrë detyrën për të na dërguar në vijën e frontit.

– Nisuni, – i tha atij.

Dhe, derisa po ngarkonim çantat në shpinë, u kthye nga ne dhe na tha:

– U lumtë pushka, djem. Dalshi faqebardhë!

Rrugës filluam të diskutonim se pse oficeri na tha që copën e letrës me emrat tanë ta vendosnim në xhepin e djathtë e jo në të majtin. Atëherë dikush tha një shaka të hidhur:

– Sepse armiku kërkon të na godasë në zemër, e aty gjaku e prish letrën.

Pasi e pata shkruar emrin dhe vendlindjen në atë copë letre, sa herë më ndodhte ta prekja në xhepin e djathtë ku e kisha vendosur, më kujtoheshin skenat nga Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, kur zhvarroseshin trupat e ushtarëve të vrarë dhe në skeletet e tyre gjendeshin pjesët metalike me emrat e tyre të shkruara në to.

Ditën që lufta përfundoi, atë copë letre e pata grisur, si për t’i thënë vdekjes se kisha triumfuar mbi të.

Me kalimin e kohës kujtimet e ne tê gjallëve do të zbehen; i përjetshëm do të mbetet vetëm emri dhe kujtimi i 114 shokëve tanë që ranë në kodrat e Kosharës.

Të ngjashme

Të fundit