Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se toger Qëndrim Imeraj ka përfunduar me sukses kursin bazë për oficerët e këmbësorisë në shkollën e këmbësorisë “Manoeuvre Center of Excellence” në Fort Benning, Georgia, ShBA.
Sipas njoftimit, Imeraj për shkak të rezultateve të larta të treguara gjatë trajnimit u dekorua student i dalluar me çmimin “Distinguished Honor Graduate”.
Ky çmim u jepet studentëve që arrin rezultate të larta në të gjithë komponentet e kursit.
“Ky sukses përfaqëson jo vetëm përkushtimin personal të toger Imerajt, por edhe profesionalizmin dhe cilësinë e lartë të oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët po arrin suksese në nivel ndërkombëtar”.
“Ky kurs është një nga programet themelore të trajnimit për oficerët e këmbësorisë, i cili përfshin përgatitje të avancuar në fushat si: Taktikat e operacioneve tokësore në nivel togu dhe kompanie, lidership ushtarak dhe vendimmarrje në kushte stresuese, Trajnim fizik intensiv, Menaxhimi i burimeve dhe logjistikës në fushë, Teknikat e komunikimit dhe komandimit në operacione të përbashkëta dhe ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në njoftim.