Sot, Gjykata Supreme njoftoi se ka aprovuar kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës, kundër ZRRE’së. Për këtë ka reaguar vetë OEK, nga ku është thënë se është ‘’fituar beteja ligjore ndaj’’ ZRRE’së.
Në reagimin e saj, OEK këtë vendim të Supremes e ka cilësuar si ‘fitore të rëndësishme ligjore’’, dhe se vendimi në fjalë ‘’përfaqëson një hap thelbësor drejt vendosjes së një kuadri ligjor dhe rregullator më transparent, të drejtë dhe të harmonizuar me interesin e konsumatorëve jo-familjarë’’, transmeton Gazeta Express.
Komunikata:
Oda Ekonomike e Kosovës fiton betejën ligjore ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Gjykatën Supreme
Prishtinë, 17 nëntor 2025 — Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) njofton opinionin publik dhe anëtarësinë e saj se ka arritur një fitore të rëndësishme ligjore, me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe transparencën e tregut të energjisë elektrike në vend.
Me Aktgjykimin P.A.nr.18/2025, të datës 05.11.2025, Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar kërkesëpadinë e OEK-ut dhe ka konstatuar si të paligjshëm disa dispozita kyçe të akteve nënligjore të nxjerra nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Gjykata Supreme ka vendosur të shfuqizojë Nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike të datës 18 janar 2017, si dhe Nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi, i ndryshuar dhe plotësuar në datat 13 qershor 2018 dhe 30 tetor 2018.
Ky vendim përfaqëson një hap thelbësor drejt vendosjes së një kuadri ligjor dhe rregullator më transparent, të drejtë dhe të harmonizuar me interesin e konsumatorëve jo-familjarë. Ai njëkohësisht adreson shqetësimet e ngritura nga OEK lidhur me faturimin e muajit qershor 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025.
Oda Ekonomike e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesave të biznesit kosovar. OEK do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtij vendimi të Gjykatës Supreme dhe të angazhohet në procesin e hartimit të rregulloreve të reja që sigurojnë konkurrencë të ndershme dhe funksionim të rregullt të tregut të energjisë në përputhje me ligjin.





