Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me çrregullimet në lëvizjen e mallrave ndërmjet Bashkimit Evropian, korridoreve rajonale të transitit dhe Republikës së Kosovës.
Përmes një reagimi, Oda Amerikane i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që të angazhohet urgjentisht në gjetjen e një zgjidhjeje të balancuar dhe të qëndrueshme për sfidat aktuale që po ndikojnë në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe zinxhirët ndërkufitarë të furnizimit.
“Zhvillimet e fundit, përfshirë bllokadat e vendndalimeve kufitare nga shoferët e kamionëve në disa shtete të rajonit, të lidhura me zbatimin dhe fuqizimin e rregullave të reja të hyrjes në Bashkimin Evropian dhe sistemit EES po pengojnë ndjeshëm lëvizjen e mallrave”, thuhet në reagim.
Sipas Odës Amerikane, lëvizja e lirë e mallrave dhe funksionimi i pandërprerë i transportit rrugor të mallrave janë thelbësore për garantimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe avancimin e integrimit ekonomik me tregun unik të BE-së.
“Ndërprerjet tashmë po ndikojnë tek bizneset përmes vonesave në dërgesa, rrezikut të mospërmbushjes së kontratave, humbjeve financiare dhe mundësisë së humbjes së klientëve ndërkombëtarë. Duke pasur parasysh varësinë e lartë të Kosovës nga importi dhe transitimi përmes korridoreve rajonale, ndërprerjet e zgjatura cenojnë qëndrueshmërinë në furnizim, si dhe rrezikojnë rritjen e shpenzimeve operative për bizneset, e rrjedhimisht të kontribuojnë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Këto zhvillime mund të ndikojnë negativisht edhe në planifikimin e investimeve dhe në detyrimet financiare të lidhura me ciklet e prodhimit dhe afatet e dorëzimit”.
Ndër të tjera, Oda Amerikane në Kosovë inkurajon të gjitha palët relevante që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë drejt zgjidhjeve praktike, të parashikueshme dhe afatgjata që sigurojnë lëvizjen e pandërprerë të mallrave në zinxhirët evropianë dhe rajonalë të furnizimit, duke ruajtur njëkohësisht integritetin e sistemeve të menaxhimit kufitar të BE-së.






