23.8 C
New York
Tuesday, September 2, 2025

Buy now

Oda e Fizioterapeutëve padit Agjencinë e Akreditimit për programin e fizioterapisë në UP

- Advertisement -

Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK) ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër vendimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA) për akreditimin e programit “Fizioterapi dhe Rehabilitim” në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së.

OFTK-ja e konsideron vendimin e AKA-së të kundërligjshëm, duke theksuar se bie ndesh me raportin e ekspertëve të vetë agjencisë së akreditimit dhe se ky veprim mund të sjellë pasoja të pariparueshme për studentët e këtij programi, pasi mund të mos iu njihet diploma pas përfundimit të universitetit.

Në një konferencë për media, kryetari i OFTK-së, Feim Gashi, tha se vendimi nuk ka respektuar kriteret për akreditimin e fizioterapisë dhe rehabilitimit, program i cili është për herë të parë në UP.

“Sot kemi dorëzuar një padi për kujdesin administrativ dhe kemi dorëzuar një kërkesë për masë sigurie drejtuar Agjencisë Kosovare për Akreditim, në lidhje me vendimin e nxjerrë për akreditimin e programeve të fizioterapisë dhe rehabilitimit në UP, gjegjësisht në Fakultetin e Mjekësisë. Ne kemi konsideruar se këta kanë bërë shkelje të shumta dhe nuk janë respektuar asnjë kriter për akreditimin e fizioterapisë dhe rehabilitimit. Për këtë arsye kemi shtruar të gjitha kërkesat drejt agjencisë, por kemi hasur vetëm heshtje dhe nuk kanë marrë asnjë bazë për anulimin apo ndërprerjen e këtij programi në këtë formë. Ne si Odë e Fizioterapisë nuk jemi kundër UP-së, kemi hapur dyert e bashkëpunimit për programin e fizioterapisë, por jo për t’u akredituar në këtë mënyrë, duke mos respektuar asnjë standard ndërkombëtar. Edhe vet ekspertët që ka angazhuar agjencia nuk janë vlerësuar, edhe pse në vendim thuhet se është marrë konform ekspertizës së ekspertëve ndërkombëtarë; ata nuk janë vlerësuar si ekspertë, por kanë dhënë disa rekomandime të cilat nuk janë zbatuar në vendim”, ka deklaruar Gashi.

Sipas tij, bartësit e programit nuk janë të profilit të fizioterapisë dhe mungojnë thirrjet akademike adekuate. OFTK ka kërkuar edhe masë sigurie për pezullimin e vendimit deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.

“Imagjinoni si mund t’i edukojë dikush studentët, kur në studimet e veta nuk ka mësuar asnjëherë fizioterapi. Madje, njëri nga bartësit e programit nuk ka pasur as thirrje akademike Profesor Asistent. Pra, në çdo aspekt janë shkelur udhëzimet administrative të vitit 2018, kur ishte e nevojshme të konsultohej AKA, por edhe udhëzimi administrativ i vitit 2024. Ata kanë krijuar paralelizma. Është njëjtë sikurse të akreditohet mjekësia e përgjithshme pa trajtim të duhur – një mjek merret me trajtim, apo një stomatolog me sëmundjet e dhëmbit. Është e njëjta gjë”, ka thënë Gashi.

Avokati i OFTK-së, Florian Petani, ka deklaruar se vendimi i Agjencisë së Akreditimit për programin “Fizioterapi dhe Rehabilitim” përmban shkelje të rënda që mund të shkaktojnë pasoja të pariparueshme për studentët.

“OFTK ka vepruar si bartëse e të drejtave kolektive, sepse në të ardhmen këta studentë, kur do të diplomojnë në këtë program, duhet të paraqiten në OFTK për licencim. Marrë parasysh emrin e këtij programi, licencimi i tyre ligjërisht do të jetë i pamundur, sepse legjislacioni në fuqi nuk e njeh emërtimin e programit ose drejtimit të studimeve ‘Fizioterapi dhe Rehabilitim’, por vetëm ‘Fizioterapi’. Nuk ka ligj që lejon licencimin pas diplomimit dhe nuk është e qartë nëse këta do të jenë fizioterapeutë apo rehabilitatorë”, ka thënë Petani. /EO/

Të ngjashme

Të fundit