Është gjetur trupi i pajetë i alpinistit 30 vjeçar nga Kosova që kishte rënë në greminë në Valbonë.
Lajmi është bërë i ditur në njoftimin e policisë së Tropojës.
Në njoftim thuhet se trupi i të ndjerit do të transportohet drejt morgut, ndërkaq, ekipi i kërkim-shpëtimit ka nxjerrë edhe tre shtetas të tjerë kosovarë të cilët kishin mbetur të bllokuar dhe ishin në gjendje të mirë shëndetësore.
Nga policia e Tropojës bëjnë të ditur se policia dhe ekipi i kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë dhe tre shtetas të tjerë nga Kosova, të cilët kishin mbetur të bllokuar dhe ishin në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e premte, për një shtetas kosovar, i cili në vendin e quajtur “Maja e thatë”, dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, kishte rënë nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën , ju informojmë se;
Kërkimet kanë vijuar që prej mëngjesit të sotëm nga shërbimet e Policisë Tropojë së bashku me ekipin e kërkim-shpëtimit malor të Kosovës.
Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit 30 vjeç, i cili do të transportohet drejt morgut.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë Tropojë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë dhe tre shtetas të tjerë kosovarë të cilët kishin mbetur të bllokuar dhe ishin në gjendje të mirë shëndetësore.