Ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës Nuredin Lushtakut së bashku me dy të afërm të tij F.L., dhe A.L., edhe pak ditë do t’u skadojë paraburgimi. Se a do të kërkohet vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj tyre, Prokuroria Themelore e Mitovicës i ka kthyer një përgjigje Gazetës Express. Masa e paraburgimit prej një muaji atyre u ishte caktuar me 4 korrik.
Valon Preteni zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës tha se brenda afatit ligjor prokurorja e rastit do të vendosë për hapat e radhës.
“Rasti është nën hetime, të dyshuarit ende janë në paraburgim. Brenda afatit ligjor prokurorja do të vendosë për hapat e radhës”, tha Preteni për Gazetën Express.
Ish-deputeti Lushtaku bashkë me dy familjarët e tij po qëndrojnë në paraburgim nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria pretendon se “të dyshuarit F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë”.
Plagosja e njërit polic dhe lëndimi i tjetrit dyshohet se motiv kishte shqiptimin e një tikete të trafikut ndaj një familjari të Lushtakut.
Për çka policët u desht të mjekoheshin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë.
Ish-deputeti Lushtaku në seancën dëgjimore kishte deklaruar se ky rast është i montuar kundër tij dhe familjes. /Gazeta Express