Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka thënë se pas të gjitha reshjeve dhe vërshimeve nuk kanë asnjë jetë të humbur.
Nura përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se janë evakuar mbi 100 familje të cilat ishin në rrezik.
“Pas gjithë këtyre reshjeve, vërshimeve dhe kësaj fuqie përballë secilës jemi të pafuqishëm, SHYQYR asnjë jetë e humbur! Për këtë meritat u takojnë qytetarëve, ekipeve të Shtabit Emergjent, Shërbimit të Zjarrfikësve, FSK-së, Klubit Off Road Drenica dhe të gjithë atyre që na ndihmuan t’i evakuojmë mbi 100 familje të cilat ishin në rrezik!” – ka shkruar Nura.
Ai gjithashtu i ka lutur qytetarët që të mos kthehen në shtëpitë që janë përbytur spese paralajmërohen reshje përsëri.
“Lus të gjithë qytetarët e komunës sonë, që të mos bëjnë lëvizje të panevojshme, apo të kthehen në shtëpitë që janë përmbytur, pasi informacionet flasin për reshje të serishme.” – ka përfunduar Nura.