Mbrëmë vonë, KQZ-ja ka përditësuar rezultatet e partive politike nga votat me kusht. Përditësimi i fundit u bë mbrëmë në orën 23:02.
Nga rreth 80% të votave të numëruara, Vetëvendosje ka dale e para me 40.21% të votave. Pak më pak se që ka marrë nga votat e rregullta ku kishte 40.90%.
Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar deri më tash 18.11% të votave, kurse LDK-ja 13.54%.
Befasia më e madhe është Lista Serbe, e cila deri më tash ka më shumë se 11.3% të votave, duke u renditur mbi koalicionin AAK-Nisma.
Ky koalicion ka 6.21% deri më tash.
KQZ ka bërë të ditur se edhe sot në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve vazhdon numërimi i fletëvotimeve të dhëna nga personat me nevoja të veçanta, i cili pritet të përfundojë sot dhe më këtë përmbyllet i gjithë procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit.
KQZ dje ka publikuar të dhënat nga 100% e numërimit të votave të ardhura përmes postës për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
Sipas të dhënave të publikuara dje në faqen zyrtare të KQZ-së, nga numërimi i 187 kutive që ishin gjithsej, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 31,963 vota, apo 51.57%. E dyta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 18,933 vota, që i përgjigjet 30.55%. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 5,878 vota, apo 9.48%, ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 2,000 vota, apo 3.23%.