Deklaratat e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me arrestimin, paraburgimin e dëshmitarët e Gjykatës Speciale, duket se nuk kanë kaluar pa u vënë re në Hagë.
Në konferencën javore informuese, zyra për media e Gjykatës Speciale tha se ditëve të fundit, ka pasur deklarata të cilat i quajtën të pasakta.
Edhe pse nuk ia përmendën emrin kryeministrit shqiptar Rama, vazhdimi i konferencës dhe fjalët e Edi Ramës, dëshmojnë se reagimi ishte pikërisht ndaj të parit të qeverisë në Tiranë.
“Përveç përditësimit të rregullt mbi statusin e çështjes gjyqësore, sot dëshirojmë të shfrytëzojmë rastin të vëmë në dukje një numër deklaratash të pasakta në media kohët e fundit në lidhje me proceset gjyqësore, dhe të sqarojmë disa aspekte”, tha zëdhënësi Michael Doyle në konferencën e sotme, raporton Nacionale.
Le ta zbërthejmë pse reagimi i Speciales ishte ndaj Edi Ramës.
Kryeministri Rama para disa ditësh në Klan Kosova, pati kritika të mëdha për mënyrën se si Hashim Thaçi ishte arrestuar.
“I gjithë procesi nuk është demokratik, qysh nga fillimi. Që nga marrja e një presidenti të zgjedhur nga zyra, pa asnjë akzuë dhe kyçja e tij brenda në burg, tek mbajtja në burg me teorinë e kërcënimit potencial të dëshmitarëve, që nuk ka asnjë provë për asnjë lloj kërcënimi, dhe deri tek përgjimi në sallën e takimeve. Gjëra të paimagjinueshme, gjëra të pakuptueshme, që janë të panumërta”,u shpreh shefi i qeverisë së shtetit shqiptar.
E pikërisht arrestimi, ishte fjala e parë e zyrës për media të Speciales, si reagim ndaj Ramës.
“Së pari, z. Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tij në këtë çështje gjyqësore u arrestuan në bazë të aktakuzës së konfirmuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake. Akuzat kundër tyre u ngritën në përputhje me Ligjin, përpara se ata të arrestoheshin”, tha zëdhënësi Doyle.
Çështja e dytë ndërlidhej me akuzat. Edi Rama tha se akuzat e Dick Martyt nuk janë askund, e dëshmitarët e Prokurorisë i quajti të Millosheviqit.
“Po të shohësh se çfarë e nxiti krijimin e Gjykatës Speciale edhe për çfarë po flitet në këtë proces, se në fund të ditës është harruar se krijimi i Gjykatës është nxitur nga raporti i famëkeqit Dick Martyt, dhe nuk ka asnjë gjurmë, asnjë shenjë, asnjë shkronjë dhe asnjë tingull të lidhur me atë trafik organesh, qoftë në atë çarçafin e akuzës, qoftë në gjithë zhvillimin e procesit”, tha ai.
“Pra, që këtu ka një devijim dramatik dhe është e gjitha një histori insinuatash e pa mbështetur në asnjë provë bindëse, përkundrazi e mbështetur nga dëshmitarë super-qesharakë që duken si aktorë të epokës së Millosheviqit”, u shpreh Rama.
Edhe për këtë, reagoi zyra e Speciales.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi aktakuzën pasi konstatoi se provat e paraqitura nga Prokuroria vërtetuan dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kishin kryer krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të paraqitura në Aktakuzë”, thanë ata.
E treta, ishte me shumë shkelje për të cilat foli Edi Rama, në mesin e të cilave edhe paraburgimin.
“Unë e kam ndjekur procesin nga kjo anë dhe shkeljet janë të panumërta. Në asnjë vend demokratik, një proces i tillë nuk do të kishte shkuar dot përpara kaq qetësisht për kaq vite, sepse organet përkatëse të qeverisjes së sistemeve gjyqësore, nuk do të qëndronin duarkryq përpara një procesi të tillë”, tha kryeministri Rama.
Reagim pati edhe për këtë ndaj Ramës, por pa ia përmendur emrin.
“Së dyti, arsyeja përse secili nga të katër të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore po mbahet ende në paraburgim është se gjykatësit kanë vlerësuar se për secilin prej të akuzuarve ekziston rreziku që të pengojë ecurinë e procesit dhe të kryejë vepra penale të tjera, në veçanti kundër personave që kanë dhënë dëshmi ose që pritet të japin dëshmi para Dhomave të Specializuara. Për secilin të akuzuar, gjykatësit vlerësojnë çdo dy muaj nëse paraburgimi është i përligjur dhe proporcional, duke zbatuar standardet e së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut”. thanë ata.
Më 17 tetor në Tiranë pritet të ketë një protestë kundër Gjykatës Speciale