“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës të prodhuar edhe brenda komisionit qendror të regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023. Pra dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesë të shkaktuara t’i planifikonte detajet”, ka thënë Kurti në arsyetimin para marrjes së vendimit.
Por, me akuzat e kryeministrit nuk po pajtohet Asociacioni i Komunave të Kosovës. Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë se në grupin punues kanë qenë 15 anëtarë, dhe Asociacioni nuk ka pasur ndonjë kompetencë ekzekutive.
“Jo, jo kjo nuk qëndron aspak. Kjo nuk është e drejtë dhe korrekte. Unë personalisht kam qenë anëtar i këshillit, dhe këshilli përbëhet prej mbi 15 anëtarë. Në dijeninë time janë rreth 15 anëtarë. SI është e mundur që një organizatë joqeveritare pa kompetenca ekzekutive, do të mund ta parandalonte një proces të tillë të rëndësishëm. Po besoj që kryeministri nuk qenka informuar drejt. Për angazhjimin e AKK mund ta pyetni edhe kryesuesin e Këshillit të regjistrimit, z.Florim Isufaj”, ka thënë fillimisht Ibrahimi.
Drejtori i Asociacionit ka treguar për Nacionalen se e ka kundërshtuar kontraktimin e një organizate, e cila planifikonte regjistrimin e popullsisë me rezolutën 1244.
“Unë personalisht e kam kundërshtuar fortë kur ka qenë puna e kontraktimit të një organizate ndërkombëtar e cila ka kërkuar që regjistrimi i popullatës të bëhet me fusnotën e rezolutës 1244, pra jo me fusnotën e marrëveshjes së Brukselit, unë kam deklaruar si përfaqësues i AKK-së kjo nuk do të mund të pranohet dhe nuk kam pasur mandat që ta pranoj një kërkesë të tillë mirëpo nëse edhe Këshilli do të dëshironte të procedoj më tutje, unë do kisha qenë i mbivotuar. Rezistencë tjetër sa i përket regjistrimit të popullatës Asociacioni nuk ka bërë, përkundrazi ka qenë shumë konstruktiv”, ka deklaruar Sazan Ibrahimi.
“I keni procesverbalet e takimeve në sekretariatin e këtij këshilli. Kemi qenë konstruktiv në dhënien e ideve, për zgjidhjen e problemve me disa komuna që nuk kanë dashur të bashkëpunojnë. Të gjitha komunat i kanë themeluar komisionet komunale për regjistrim të popullatës, problemet besoj që kryeministri Kurti i dinë se përse është shtyrë regjistrimi i popullats, duhet ta shikojë ligjin shumë mirë, se a mund të bëhet regjistrimi në një pjesë të Kosovës, kur aty janë janë mbajtur zgjedhjet në prill dhe mur mund të fillonë regjistrimi në atë pjesë”, ka thënë më tutje Ibrahimi.
Ai ka insistuar që regjistrimi i popullatës nuk mund të bëhet me rezolutën 1244. Ka thënë se Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk e pranon, por sipas tij, ndoshta dikush tjetër e pranon.
“Është mirë që niveli qendror të merret me ndryshime legjislative të cilat i hapin dyert regjistrimit të popullatës, e jo të akuzojnë një organizatë joqeveritare e cila nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive të ndikojë në një prices të tillë. Nëse do të ishim rezistent si ka mundësi që 14 anëtarët e tjerë të mos votonin pro vazhdimit të procesit. I nderuar kryeministër shikoje se me çka do të bëhet regjistrimi i popullatës, me rezolutën 1244 OKB-së që është e papranueshme për AKK apo si do ta bëni regjistrimin e popullatës”, ka thënë Sazan Ibrahimi.
“Si është e mundur që vetëm një anëtar ta prishë punën, kur kanë qenë aty 15 anëtarë. Kryeministër Kurti, ju lutem mos u mundoni që ta hidhni fajin diku tjetër sepse fajin shpresoj dhe besoj që e dini ju më së miri. AKK nuk ka pranuar dhe nuk do pranoj që Republika e Kosovës të ketë fusnotën e Rezolutës 1244 të KB. Ndoshta dikush tjetër edhe e pranon”, ka përfunduar Ibrahimi deklaratën e tij.
Regjistrimi i popullsisë është shtyrë për disa herë me radhë për arsye të ndryshme.