20.7 C
New York
Saturday, June 14, 2025

Buy now

“Nuk po merremi vesh për një komision, lëre për 15 pika”: VV-ja kundërshton idenë e LDK-së, të tjerët në pritje

Tema kryesore para dhe pas seancës së sotme ishte propozimi i LDK-së për Qeverinë e Unitetit. Sigurisht, pasi ndonjë ndryshim në votim nuk pritej.

Deputetja dhe kandidatja e përhershme për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se gjërat duhet të merren me radhë.

Ajo ironizoi duke thënë se nuk e kupton pse LDK-ja nuk po bëhet pjesë e ndonjë qeverie pa PDK-në.

“Nuk kam pasë mundësinë që ta lexoj këtë plan, por ajo që është e rëndësishme është absurde që të propozosh që të mblidhemi për të diskutuar për 15 pikat kur ne s’po mund të merremi vesh për konstituimin e Kuvendit”, tha Haxhiu, raporton Nacionale.

“Ka një rend të gjërave këtu: së pari të konstituohet Kuvendi, pra duhet të ketë unitet për ta konstituuar Kuvendi dhe pastaj të flasim për çështje të tjera. Në këtë drejtim, e dini që Vetëvendosje ka qenë e hapur që LDK të jetë partnere në Qeverinë Kurti III, por kjo është refuzuar. Ata po kërkojnë qeveri të unitetit dhe unë s’e kam të qartë saktësisht çfarë po kërkojnë. Po kërkojnë që të gjitha partitë të jenë në qeveri bashkë? A duhet Kuvendi i Kosovës të ketë opozitë? Demokracia e kërkon që të ketë qeveri dhe opozitë”, deklaroi më tutje ajo.

Qëndrim krejt të njëjtë tha edhe deputeti Artan Abrashi.

“E kemi diskutuar atë që quhet plan, dhe në diskutimet tona për ato pika, kemi arritur në përfundim se ai propozim ka disa vështirësi të patejkalueshme logjike. E para si mund të pres z.Abdixhiku që ne si VV mund të pajtohemi për 15 gjëra kaq të mëdha, e nuk po kemi pajtueshmëri për senin ma të vogël, votimi i komisionit të fshehtë. Absurditet i llojit të vet. Qeveritë e unitetit bëhen kur ka rrezik, pyetja është: ku po e sheh rrezikun e tillë në Kosovë? Nëse e sheh rrezik Serbinë, pse nuk mori pjesë në takimet konsultative të Kurtit? Këto pyetje nuk kanë përgjigje”, tha ai.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se po pret që të ftohet zyrtarisht, ose që i njëjti plan të dërgohet në formë zyrtare nga LDK-ja.

Këta të fundit kanë thënë se konferenca ku u propozuan këto pika ishte publike, dhe si rezultat, të gjitha partitë janë njoftuar.

Pikat e LDK-së:

Pikat e kësaj agjende që keni para vetes sot, kanë autorizimin e kryesisë së LDK-së, grupit parlamentar, në mbledhjen e mbajtur më 15 maj. Janë dokument i LDK-së.

Qeveria e Unitetit Kombëtar do të fokusohej në 15 pika themelore e ato janë:

Pika e parë, funksionalizimi i institucioneve kushtetuese dhe departiazimi i tyre. Të përmbyllim zgjedhjen e të gjitha vendeve vakante që presin votimin e Kuvendit. Ka urgjencë në vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese, pasi nëse kriza vazhdon, Gjykata Kushtetuese mund të mbetet pa kuorum. Republika mbetet pa Gjykatë Kushtetuese. Departiazimi i institucioneve të pavarura kushtetuese, dhe zgjedhjen e të gjitha emërtimeve me U.D që i kemi andej Kosovës.

Pika e dytë është po aq e rëndësishme, ka të bëjë me dakordimin për rritjen e pagave dhe zbatimin e Ligjit të Pagave.

Pika e tretë do të ishte Pakoja Emergjente për Menaxhimin e Krizës Energjetike. Pako gjithëpërfshirëse për çështjen e energjisë. Zgjidhje e veçantë edhe krizës së tanishme, protestës së sektorit privat, duke gjetur rrugëdalje mes qeverisë së unitetit.

Pika e katërt, nisja e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës. Do të niste hartimin e planit kombëtar për gazifikimin, dhe procedura për ndërtimin e centralit me gaz. Dakordohemi më pas, që projektin ta vazhdojë kushdo qe vjen në pushtet.

Pika e pestë, me rëndësishmja, ka të bëjë me rindërtimin e partneritetit me BE-në dhe Amerikën, kthimi i besimit me BE-në dhe Amerikën. Platformë unike me të gjitha partitë, për dialog me Serbinë. Do të bëjmë platformë të brendshme, të dakorduar, me të cilën do të zotohet secila palë në implementim të plotë. Ristrukturimi i shërbimit diplomatik të Kosovës.

Pika e gjashtë, votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pikë e shtatë, Vettingu në sistemin e drejtësisë, miratimi i aspektit ligjor, e më pas pilot-procesi i Vetingut.

Pika e tetë, qeveria do të hiqte të gjitha procedurat burokratike, ndërtimin e spitalit të ri, ndarjes së buxhetit për trajtimin e deponive të mbeturinave në tërë vendin.

Pikë e nëntë, flasim për reformën kushtetuese në stabilitetin institucional. A do të duhej të kemi ndryshime kushtetuese, që të mos mblidhemi vazhdimisht pa ndonjë rezultat.

Prioritet do t’i jepej krijimit të një komisioni ad-hoc me përfaqësim të gjerë për reformë kushtetuese. Fokus për përcaktimin e procedurave për konstituimin e Kuvendit, sigurimin e balancës mes pushteteve, a je deputet, a ministër, a u.d në të njëjtën kohë. E vëmë Kosovën në binar.

10. Hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.

Pika e 11, përgatitja për Lojërat Mesdhetare që po vihen në rrezik.

Pika e 12, reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.

Pika 13, rishikimi i formulës për buxhetin e komunave, të gjitha komunave, dhe ndryshimeve legjislative, përfshirë ndarjen e buxhetit për kontrata kolektive.

Pika 14, përgatitja për zgjedhje të rregullta e të lira demokratike brenda 10 muajve.

E fundit, mekanizmi i transparencës dhe llogaridhënies për periudhën kalimtare. Me shoqëri civile e media, për të raportuar mbi zbatimin e kësaj agjende.

Të ngjashme

Të fundit