Real Madridi nuk do ta ketë të lehtë të nënshkruajë me Ibrahima Konaten këtë verë, edhe pse mbrojtësit i ka mbetur vetëm një vit në kontratë, Liverpooli ka kërkesa të larta për ta lejuar largimin e tij.
Klubi madrilen ende nuk e ka përfunduar planin e transferimeve për sezonin e ri, edhe pse ka investuar te lojtarë si Trent Alexander-Arnold, Dean Huijsen, Alvaro Carreras dhe disa talente në zhvillim. Ndeshja e fundit ndaj PSG-së në Kupën e Botës për Klube zbuloi mangësi serioze në mbrojtje, duke shtyrë drejtuesit të kërkojnë përforcime të menjëhershme.
Dobësitë në prapavijë janë shtuar edhe më shumë nga pasiguria që rrethon formën fizike të David Alabës. Ai ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe vazhdon të vuajë probleme muskulore. Si pasojë, Real Madridi është vënë në kërkim të një qendërmbrojtësi të ri që sjell siguri dhe energji të re në mbrojtje.
Në këtë kontekst, emri i Ibrahima Konates është kthyer në përparësinë kryesore të “Los Blancos”. Francezi është shtyllë e Liverpoolit dhe shihet si pjesë kyçe e projektit nga trajneri Arne Slot. Megjithatë, mungesa e një rinovimi e ka bërë situatën të pasigurt dhe ka nxitur interesimin e Realit.
Sipas gazetës “AS”, Liverpooli i ka vendosur një çmim prej 50 milionë eurosh për ta shitur Konatën. Nga ana tjetër, Real Madridi ka bërë një ofertë fillestare prej 25 milionë eurosh, shumë larg kërkesave të anglezëve. Kjo diferencë e madhe po e ndërlikon rrjedhën e negociatave.
Konate është një mbrojtës modern, fizikisht i fuqishëm dhe teknikisht i përgatitur. Ai u rrit te Sochaux, u afirmua te Leipzig dhe që prej vitit 2021 është pjesë e Liverpoolit, ku ka zhvilluar 132 ndeshje, me 5 gola dhe 4 asistime.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje këtë verë, Reali mund të presë edhe një sezon për ta marrë lojtarin si të lirë në verën e vitit 2026. Megjithatë, dëshira për ta pasur menjëherë në “Santiago Bernabeu” mbetet e madhe.