Mjafton ta shkruani “heshtja” në kërkuesin e Nacionales për ta parë se për sa shumë çështje ka heshtur presidentja Vjosa Osmani. Ishin heshtje që i konvenonin – gjithnjë sipas nesh – kryeministrit Albin Kurti. Por, heshtja e saj aktuale për masat ndëshkuese të BE-së duket krejt më ndryshe.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme pas konfirmimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj vendit tonë.
Kryeministri foli. Ishte në komunën e Shtimes që i qeveriset nga një bashkëpartiak i tij dhe i quajti masat “të padrejta”.
Megjithatë, edhe më tej asnjë fjalë nga presidentja që të premten u pa nën shoqërimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Ulqin.
Presidentja Osmani bëri bujë me fjalimin që mbajti në Parlamentin Evropian më 14 qershor, ditën kur parashihej të mbahej mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që u anulua nga kjo e fundit shkaku i tensioneve në veri.
Ajo aty e përmendi edhe thënien e famshme të presidentit historik Ibrahim Rugova se “shtëpia nuk mbahet pa miq”.
“Nuk mundemi vetë”
Presidentja Osmani e kishte dhënë një intervistë për nder të festave të fundvitit, dhe ku ishte shprehur qartë në lidhje me atë se si e shihte përkrahjen ndërkombëtare për Kosovën.
Ajo besonte që vetëm veprimet e drejta do të na siguronin përkrahje nga ndërkombëtarët.
“…vetëm veprimet tona të drejta do të na sigurojnë përkrahje më të madhe nga aleatët tanë ndërkombëtarë…” – shprehej presidentja e vendit.
Por, më pas tregonte qartë se sa e rëndësishme ishte përkrahja ndërkombëtare për vendin.
“…dhe mos e harroni një gjë, jo vetëm një shtet si Kosova por edhe një shtet shumëfish më i madh që i ka 70-80 milionë banorë – e që është anëtar i BE-së e i NATO-s – sot varet nga përkrahja që ia japin miqtë e aleatët. Finlanda, Suedia, Norvegjia, të gjithë sot shkojnë e kërkojnë përkrahje ndërkombëtare. Janë – disa prej tyre janë në BE, disa prej tyre janë në NATO – por akoma shkojnë në Shtetet e Bashkuara dhe e kërkojnë përkrahjen. Ose shkojnë në aleanca tjera.” – vazhdonte tutje ajo.
Tutje, presidentja e vendit e përsëriste vazhdimisht se “nuk mund t’ia dalim vetëm”.
“Njësoj siç po kërkojmë ne përkrahje ndërkombëtare… sepse sfidat janë tepër të mëdha – që cilido prej nesh, qoftë shtet i vogël apo i madh – të mund t’ia dalë i vetëm. Nuk mund t’ia dalim të vetëm. Nuk mund t’ia dalim të vetëm në asnjë prej sfidave të sigurisë apo sfidave ndërkombëtare që i kemi. Nuk mund t’ia dalim të vetëm pa aleatët tanë, dhe këtë duhet ta themi qartë.” – thoshte presidentja Osmani.
Heshtjen e presidentes së vendit e ka qortuar edhe ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.
““E kemi parë më herët zonjën Osmani të ketë qenë shumë e zëshme ndaj shefave të partisë së vet, ndërsa është tërësisht e heshtur në avanturat e kryeministrit Kurti,” – tha ajo.
Fjalët e znj. Osmani për përkrahjen ndërkombëtare mund t’i dëgjoni në videon e mëposhtme nga minuta 41:07. / Nacionale/