Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj ka thënë se Kosova ka dështuar sa i përket politikës së jashtme, duke shtuar se nuk kemi asnjë njohje dhe as avancim për anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare.
Ahmetaj e ftuar në RTV Dukagjini ka deklaruar se Kosova gjendet në prag të mbylljes së një viti të vështirë, duke theksuar faktin se çakordimi i plotë i institucioneve deri te mungesa e një konsensusi nacional, vendi po shfaq një skenë politike të tensionuar dhe të papërcaktuar.
“Jemi dëshmitar të një çakordimi komplet të institucioneve të vendit si dhe të mungesës totale të një konsensusi nacional. Jemi duke e parë një punë të mangët të Kuvendit të Kosovës kur shumica e nismave ligjore dhe ligjeve ngecin për shkak të mungesës së kuorumit.”
“Nuk kemi asnjë njohje, nuk kemi avancuar në asnjë proces për anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare, ne flasim për anëtarësim në BE ndërkohë që Bashkimi Evropian na ka sanksionuar.” – ka thënë ajo.
Ndër të tjera Ahmetaj është shprehur se në secilin sektor dhe segment të politikës së jashtme, Kosova ka dështuar.
“Rreziku i lënies në harresë, Bashkimi Evropian vitin e ardhshëm do të jetë në zgjedhje sikurse ShBA-të, dhe për një kohë ne do të lihemi komplet anash për më tepër e dëgjoja vazhdimisht kërkesën që të na hiqen sanksionet, por kur pasi Bashkimi Evropian nuk do ta kthën kokën dhe të mendon nga Kosova.” – ka thënë ndër të tjera ish-ministrja e Integrimeve Evropiane.
Në fund, ajo ka përmendur edhe liberalizimin e vizave për Kosovës, duke i uruar qytetarët dhe duke theksuar se ky është një sukses i vonuar i Kosovës.
“Liberalizimi i vizave është sukses i vonuar i Kosovës dhe jo më pak për fajin tonë për shkak se ne vet e kemi penguar në disa raste, ne e kemi mbajt peng qytetarin e vendit që të mos ta gezojë këtë të drejtë deri më tani.” – ka përfunduar Ahmetaj.