Komisioni për Buxhet ka miratuar fushëveprimin e tij, me nëntë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa nuk ka kaluar propozimi për përfshirjen e një pike shtesë që do të obligonte ministritë të raportojnë drejtpërdrejt në këtë komision, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komisionit, Enver Haliti, prezantoi fushëveprimtarinë, duke theksuar se Komisioni është funksional dhe i përhershëm dhe shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me buxhetin dhe financat.
“Komisioni është komision funksional dhe i përhershëm. Komisioni në kuadër të fushëveprimit dhe të përgjegjësive shqyrton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me buxhetin dhe financat. Fushëveprimi i komisionit përfshin: Shqyrtimin e projektligjit vjetor për ndarjet buxhetore dhe rishikimin e tij. Shqyrtimin e projektligjeve në fushën e financave publike dhe financave në përgjithësi. Shqyrtimin e projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Kosovës dhe bën rekomandime për Kuvendin e Republikës. Shqyrtimin e projektligjeve dhe amendamenteve të propozuara në aspektin e ndikimit buxhetor të tyre në kuadër të përgjegjësive si komision i përhershëm dhe rekomandim në komisionin përkatës funksional dhe në Kuvend. Të drejtën për të propozuar dhe hartuar projektligje. Shqyrtimin e raportit vjetor financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës. Shqyrtimin e raporteve vjetore të institucioneve, organeve të pavarura që raportojnë në Kuvend dhe që bien në fushëveprimtarinë e komisionit. Mbikëqyrjen e zbatimit të politikave publike dhe legjislacionit në fushën e menaxhimit të financave publike, të standardeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar, të borxhit publik, prokurimit publik, politikave makroekonomike fiskale si dhe ndihmës shtetëror. Mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve në kuadër të fushëveprimtarisë së tij. Organizimin e dëgjimeve publike. Raportim me iniciativën e komisionit ose me kërkesën e Kuvendit në mbledhje plenare për çështje nga fusha e veprimtarisë së tij; Shqyrtimin e çështjeve të tjera të përcaktuara me këtë rregullore”, tha ai.
Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, propozoi që në fushëveprim të shtohet edhe shqyrtimi i raporteve vjetore të ministrive, duke arsyetuar se aktualisht parashihet raportimi i qeverisë, por jo edhe i ministrive individuale.
“Kemi këtu paraqit obligimin që vetë qeveria të raportojë këtë raport vjetor financiar në këtë komision, por jo dhe ministritë. Prandaj propozoj që të shtojmë dhe pikën: Shqyrtimi i raporteve vjetore të ministrive, sepse ato veç raportojnë në Ministrinë e Financave”, tha ai.
Deputeti Valon Hoti kërkoi që të specifikohet qartë se për cilat institucione bëhet fjalë, ndërsa kryetari Haliti u shpreh se nuk e sheh të nevojshme ndryshimin, duke theksuar se praktika e deritanishme nuk ka paraqitur probleme dhe se ndryshimet mund ta komplikojnë punën e Komisionit.
“Nuk besoj që ka nevojë të bëhën ndryshime për shkak se mund të na komplikoj punën dhe fushveprimtarin e komisionit”, tha ai.
Propozimi i Mustafës nuk mori votat e mjaftueshme, ndërsa fushëveprimtaria e Komisionit u miratua në formën ekzistuese






