Ministria e Punëve të Brendshme në Republikën e Kosovës është duke u ballafaquar me probleme të furnizimit me material për dokumente. Këtë e kanë bërë të ditur vetë zyrtarët e këtij dikasteri, derisa qytetarët ankohen se po presin me muaj që të paisen me pasaporta e patentë shoferë.
Pritja për t’u pajisur në formë të rregullt me pasaportë kosovare shkon me muaj.
Problemi me të cilin është ballafaquar edhe më herët Ministria e Punëve të Brendshme, është kthyer sërish, dhe qytetarët janë të frustruar.
“Përafersisht dy muj edhe prej rrethit timë kanë tregu se kanë pritë njëjtë më muaj me u paisë më pasaportë. Shkaku i mungesës së materialit po thonë. Ka njerëz që kanë nevojë për to e jo që t’ju vanohen”, ka theksuar Gjokaj.
![](https://www.dukagjini.com/wp-content/uploads/2022/10/Screenshot_9-2.jpg)
Por edhe për vonesa të dokumente të tjera, përveç pasaportave, ka nga qytetarë që janë në pritje të Agjencia e Regjistrimit Civil në kryeqytet.
“Me 13 komë apliku hala nuk u dal patent shoferi. Nuk ka material as kurgja prej 12 nuk kanë bë asnjë hiq. Veç na kanë njoftu që s’ka”, ka potencuar Syla.
![](https://www.dukagjini.com/wp-content/uploads/2022/10/Screenshot_10-2.jpg)
Se mungon materiali për të gjitha dokumentet e kanë pranuar edhe vetë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në arsyetimin e kësaj ministrie përmenden zhvillimet aktuale, por edhe pandemia, si një prej shkaktarëve që kanë nxjerrë telashe me furnizim.
![](https://www.dukagjini.com/wp-content/uploads/2022/10/Screenshot_11-1.jpg)
“Për arsye të krizës globale, si dhe pandemisë me COVID-19, furnizimet me material janë vështirësuar. Si shumë shtete të tjera, ashtu edhe ne po kemi vështirësi të furnizimeve me materiale, këto vështirësi i ka shkaktuar kriza globale, si dhe pandemia me COVID-19. MPB është e përkushtuar që të pajisë të gjithë qytetarët me dokumente, e në veçanti rastet që kanë nevojë urgjente”, kanë thënë Ministria e Punëve të Brendshme.
Përderisa kjo nuk është hera e parë që ky dikaster ballafaqohet më këtë problem, në përgjigjen e kësaj ministrie, nuk jepet ndonjë afat se kur pritet që të sigurojnë sasi të nevojshme të materialit. /Dukagjini/