Në mes të muajit dhjetor, në Komisionin e Venecias do të mbahet një seancë e rëndësishme për sistemin prokurorial të Kosovës. Do të trajtohet projektligji për Këshillin Prokurorial, i cili synon shumë reforma brenda Këshillit, që është përgjegjës për gjithë sistemin. Por përveç Këshilit Prokurorial, ndryshimet e paraparë, në veçanti në përbërje, nuk mirëpriten as nga organizata të shoqërisë civile
Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi nismën e parë.
Megjithatë, ministria e Drejtësisë nuk hoqi dorë nga përmbushja e një prej zotimeve kryesore të saj, atë të ndryshimeve ligjore në Këshillin Prokurorial.
Përpërja e këshillit, me miratimin eventual të ligjit të ri, do të ndryshonte në mënyrë drastike, duke rritur numrin nga 13 anëtarë në 19 anëtarë.
“Ne parashohim që të kemi realisht dy përbërje në faza të ndryshme. Është përbërja e përkohshme dhe ajo e përhershme. Përbërja e përkohshme do të jetë deri në vitin 2026, ku 13 anëtarëve aktual do t’u shtohen edhe disa të tjerë për të mbërritur përbërjen e plotë 19 anëtarëshe. Në këtë përbërjen 19 anëtarëshe, do të ketë dhjetë anëtarë prokuror dhe nëntë anëtarë joprokuror”, ka deklaruar Genc Nimoni – Shef i kabinetit të Ministres së Drejtësisë.
Për shefin e kabinetit të ministres Albulena Haxhiu, Genc Nimoni, kjo nuk është zgjidhja më e mirë, por forma e domosdoshme.
“Ne e kemi propozu këtë rritjen në 19 anëtarë, për një periudhë të caktuar për të eliminuar korporatizmin që ekziston brenda Këshillit Prokurorial dhe për të mundësuar një lloj balancimi. Dhe kjo do të jetë deri në vitin 2026… Nga ky moment atëherë do të kemi një përbërje shtatë anëtarëshe, ku prapë do të dominojnë anëtarët nga sistemi prokurorial, katër anëtarë do të jenë nga KPK dhe tre anëtarë të tjerë jo prokurorial, që do të zgjedhen nga Kuvendi me procedurat e parapara sipas standardeve edhe ndërkombëtare edhe kushtetuese”, vijon ai.
Këto plotësim-ndryshime, nuk i kanë mirëpritur drejtuesit e Këshillit Prokurorial.
“KPK-ja potencon qartazi se Qeveria e Kosovës nuk ka përfillur propozimet dhe sugjerimet e saj, sa i përket ndarjes së pushteteve në pjesët qendrore të përmbajtjes së tij, andaj si i tillë cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial”, thuhet në komunikatën nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Sikur KPK-ja, këtë projektligj po e kundërshtojnë edhe në Institutin e Kosovës për drejtësi.
“I njëjti është në kundërshtim si me opinionet e komisionit të Venecias, si me kushtetutën e Republikës së Kosovës, për shkak se cenon pavarësinë e Këshillit Prokurorial, poashtu edhe me strategjinë për sundimin e ligjit… Komisioni i Venecias në opinionin e fundit thotë që rritja e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial nuk është zgjidhje që ju rekomandohet vendeve, për shkak se është edhe e kushtueshme, por edhe një vend si Kosova që i ka 180 prokuror, të jenë 19 prokuror anëtar të KPK-së do të ishte skandaloze në rastin e Kosovës”, ka deklaruar Lavdim Makshana nga IKD.
Hulumtuesi Lavdim Makshana thekson se problematike është edhe çështje e kuorumit.
“Vendimmarrja do të mund të bëhet vetëm kur të arrihet me anëtarin e 12 të anëtarëve joprokurorë. Pra në asnjë rast tjetër nuk mund të mbërrihet kuorumi, por duhet të mbërrihet vetëm me anëtarin e 12 joprokurorë, e që kjo është në kundërshtim me opinionin e Komisionit të Venecias”, vijon ai.
Projektligji është dërguar për opinion në Komisionin e Venecias, nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Vendimmarrja pritet të ndodhë në mes të dhjetorit. /Dukagjini/