5.3 C
New York
Thursday, April 9, 2026

Buy now

Nuk është Lionel Messi, Modric zbulon kundërshtarin më të frikshëm të karrierës

- Advertisement -

Mesfushori kroat rikujtoi debutimin e tij me përfaqësuesen e Kroacisë në vitin 2006, në një ndeshje miqësore ndaj Argjentinës, ku pati rastin të përballej jo vetëm me Lionel Messin, të cilin e konsideron si lojtarin më të mirë në histori por edhe me Riquelmen, i cili la një përshtypje të jashtëzakonshme tek ai.

Në një intervistë për Mundo Deportivo, Modric theksoi rëndësinë e asaj ndeshjeje, duke e cilësuar si një moment kyç në karrierën e tij.

Ai tregoi se trajneri i kishte paralajmëruar për vështirësinë e përballjes, por vetëm kur pa nga afër Riquelmen, e kuptoi arsyen e shqetësimit.

“Kur e pashë Riquelmen në fushë, e kuptova pse trajneri ishte i shqetësuar”, u shpreh Modric.

Ai veçoi inteligjencën dhe vizionin e lojës së argjentinasit, duke theksuar se mënyra se si ai analizonte fushën dhe gjente hapësirat ishte e jashtëzakonshme.

“Ajo që admiroja më shumë ishte fakti se sa herë që kishte topin, ai skanonte gjithë fushën, nga hapësirat më të afërta deri te më të largëtat, gjithmonë në kërkim të një pasimi vendimtar”, ka thënë kroati.

Modric gjithashtu kujtoi vështirësitë në përballje direkte me të, duke shtuar se teknika unike e Riquelmes e bënte pothuajse të pamundur t’i merrje topin.

“Ai lëvizte me topin në një mënyrë shumë të veçantë. Shpesh më bënte të humbja ekuilibrin dhe largohej lehtësisht”, rrëfeu ai.

Aktualisht, Riquelme mban postin e presidentit te Boca Juniors, klub ku ai u formua si futbollist, ndërsa Modric vijon karrierën e tij në nivel klubesh dhe me përfaqësuesen kroate.

Modric ka marrë pjesë në katër Kupa Bote (2006, 2014, 2018 dhe 2022) dhe pritet të jetë pjesë edhe në edicionin e ardhshëm, duke u renditur mes lojtarëve me më shumë paraqitje në këtë kompeticion prestigjioz. /Telegrafi/

Të ngjashme

Të fundit