Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk po merret seriozisht as nga lideri i VV-së, Albin Kurt, i cili e ka propozuar dhe votuar për kryeparlamnetar.
Të enjten Albin Kurti dhe Dimal Basha kishin shkuar për t`i dhënë mbështetje kandidatit të VV-së për kryetar të Ferizajt, Enver Haliti.
Por, në këtë tubim elektoral numrit dy të shtetit nuk iu kishte bërë një vend afër liderit të VV-së.
Fotografitë që shihen nga ky tubim tregojnë se Kurti në krahët e tij kishte afër njerëz të tjerë dhe jo Dimal Bashën.
Madje, lideri i VV-së nuk ia ka përmendur fare emrin kryeparlamentarit në statusin që ka shkruar për këtë aktivitet elektoral.
“Te Enver Haliti, Ferizaj e gjen kandidatin më të mirë për kryetar në këto zgjedhje. Me të në krye të komunës, edhe në nivel lokal vëmendja do të kthehet kah gratë dhe rritjes së mundësive për fuqizimin e tyre, promovimin e barazisë gjinore dhe kujdesjes sociale. Politikat për gratë janë politika për ardhmëri. Siç thotë dhe kryetari i ardhshëm i Ferizajit, Enver Haliti, pas 12 tetorit do të ketë më shumë çerdhe që hapin rrugë për punësimin e grave, shkolla që edukojnë dhe avancojnë fëmijët, bursa që ulin pabarazinë, grante që fuqizojnë ekonominë familjare, mbështetje që mbron më të cenueshmit dhe dinjitet për të moshuarit”, ka shkruar Kurti.