8.1 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

“Nuk e kam ditur rëndësinë e deklarimit të pasurisë” – Detaje nga aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit

- Advertisement -

Ministrja e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari,do të përballet me drejtësinë. Kjo pasi ndaj saj më 13 tetor është ngritur aktakuzë për mosdeklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër-Korrupsion. Ajo faktin që s’e deklaroi pasurinë e arsyetoi me situatën e ngarkuar me Koronavirus dhe që nuk e kanë njoftuar asistentet. Nacionale ka parë aktakuzën dhe sjell detaje.

Pavarësisht se në vitin 2020, Agjencia Kundër-Korrupsion e kishte zgjatur afatin për deklarimin e pasurisë, këtë proces nuk e përfundoi ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari. Kështu, ajo bëri vepër penale për mos-deklarim ose raportim të rrejshëm të pasurisë. Për këtë do të përballet me drejtësinë, pas një aktakuze të ngritur ndaj saj.

Gazeta Nacionale e ka siguruar aktakuzën ndaj Hajdarit. Aty, ministrja e Tregtisë faktin që nuk e ka deklaruar pasurinë brenda afateve ligjore, e kishte arsyetuar me situatën e ngarkuar me Koronavirus. Fillimisht ajo thotë se nuk ka pasur asnjë njoftim fillimisht, që duhet ta deklarojë pasurinë brenda 1 muaji pas marrjes së detyrës. Gjithashtu e pranon se nuk e ka ditur rendësinë e deklarimit të pasurisë.

“Pra, nuk kam marrë asnjë shkresë zyrtare që në fillim të javës së parë pas pranimit të detyrës e as javës së dytë të shkurtit, dhe pastaj asistentet e mia të reja të cilat kanë qenë duke u njohur me punën e kabinetit as ato nuk kanë qenë të informuara që të sjellin në vëmendjen time raportimin dhe rëndësinë e raportimit në AKK. Pra, nuk kam qenë e vetëdijshme për rëndësinë e këtij raportimi. Me marrjen e detyrës unë kam qenë e stërngarkuar me detyra të ministrisë dhe takime njoftuese me ambasadat të cilët kishin pritur kohë të gjatë për t’i adresuar çështjet që kishin qenë të natyrës emergjente dhe jemi marrë me pasojat e atyre çështjeve. E di më kujtohet se në atë kohë ka qenë alarmi për sjelljen e virusit Covid 19 në Kosovë. Me datë 12 mars 202 ka qenë edhe marrja e vendimit të parë për marrjen e masave për adresimin e pandemisë, meqë kishim raste të popullatës së infektuar. Sa më kujtohet nga ajo kohë kanë qenë njoftimet nga AKK-ja për shtyrjen e afatit për deklarimin e pasurisë si rezultat i Koronavirusit”, kishte deklaruar Rozeta Hajdari para Prokurorisë.

Hajdari thotë që asistentet e saj nuk e kanë njoftuar për mundësinë që ta deklarojë pasurinë pas zgjatjes së afatit.

“Siç duket as asistentet nga kabineti im e as unë nuk kemi qenë të edukuar apo mirë informuar për rëndësinë e deklarimit të pasurisë. Sa i përket deklarimit të pasurisë, me marrjen e detyrës njoftimin e parë e kam marrë me datë 13.02.2020 e po ashtu të kopjuara cc kanë qenë edhe asistentet e mia por siç duket nuk më kanë njoftuar me kohë, sepse ato i kanë lexuar shkresat e mia. Krejt kjo për shkak të një situate të dendur të aktivitetet dhe situatës së krijuar në atë kohë me Covid dhe çështjeve emergjente që duhej adresuar”, kishte deklaruar më tej minisrja Hajdari.

Hajdari nuk kishte ofruar para Prokurorisë prova të reja, në lidhje me vonesën në deklarimin e pasurisë.

“Në formularin e deklarimit të pasurisë me përfundimin e mandatit me datë 23.06.2020 kam bërë një koment ku kam deklaruar pasurisë edhe me reastin e pranimit të detyrës, ku në atë koment përmendet edhe data 04.06.2020 dhe nuk jam e sigurt se a e kam prezantuar në Agjenci ndonjë formularë për këtë rast”, kishte përfunduar deklaratën e saj ministrja Rozeta Hajdari.

Për këtë shkak, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj saj.

“Në cilësinë e zyrtares së lartë publike si Ministre e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësië, e pandehura duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor, nuk e ka respektuar nenin 6 paragrafin 1 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve Publik, në atë mënyrë që edhe pas njoftimit me kohë nga zyrtarja përgjegjëse e ministrisë përkatëse për detyrimin e deklarimit të pasurisë së saj me rastin e marrjes së detyrës si ministre, e zgjedhur sipas vendimit të Kuvendit të Kosovës, ashtu edhe përkundër shtyrjes së afatit nga ana e Agjencisë Kundër-Korrupsion për shkak të situatës së krijuar me Covid-19 deri më datë 19.06.2000, e njëtja deklarimi e pasurisë nuk e kishte bërë as brenda këtij afati shtesë ligjor”, thuhet në aktakuzë.

Çfarë thanë dëshmitarët?
Arta Dushi është një nga dy dëshmitarët e Prokurorisë në këtë proces. Ajo e kishte konfirmuar se i ka njoftuar të gjithë zyrtarët e Ministrisë për deklarimin e rregullt të pasurisë. Dushi ka konfirmuar se Emailin njoftues, ia kishte përcjellur edhe asistenteve të ministres Hajdari.

“Me datën 02.02.2020 jo vetëm ministres Rozeta Hajdari, por të gjithë zyrtarëve të lartë të ministrisë sonë ju kam dërguar Email me njoftimin për deklarimin e rregullt të pasurisë për vitin 2019. Në këtë email e kam vënë CC edhe asistenten e Ministrisë, Shqipe Gjergja dhe Laura Zeka e poashtu CC ka qenë edhe AKK-ja dhe zyrtarët tjerë kompetentë. Me datën 16.03.2020 ua kam dërguar edhe një Email për rikujtim. Në lidhje me deklarimin e pasurisë në këtë periudhë kohore, Agjencia na ka njoftuar se afati për deklarimin e pasurisë është shtyrë për kohë të pacaktuar. Me datë 02.06.2020 unë kam pranuar një njoftim mga AKK-ja se afati për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët e lartë të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë është shtyrë deri më datë 19.06.2020 e me të cilin Email i kam njoftuar zyrtarët e mimistrisë”, kishte deklaruar para Prokurorisë dëshmitarja Dushi.

Tjetër dëshmitar në procesin ndaj ministres do të jetë Gani Nikqi, zyrtar i Agjencisë Kundër-Korrupsion. Ai ka treguar se ministrja ka qenë e obliguar ta bëj deklarimin e pasurisë.

“Mirëpo e njëjta, sipas dëshmitarit një gjë të tillë nuk e ka bërë brenda këtij afati. Deklarimin e pasurisë sipas dëshmitarit, Zyrtarja e lartcekur e ka bërë me dt. 23.06.2020 duke e dorëzuar në AKK formularin për deklarimin e pasurisë pas mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga funksioni dhe në faqen 6 të formularit ka dhënë një sqarim: “Për njoftimin e juaj për shkaqe të pandemisë nuk e kam bërë deklarimin e pasurisë me marrjen e detyrës, ngase situata politike ka ndryshuar unë tani po e deklaroj pasurinë pas largimit tim nga kabineti me datën 04.06.2020”. Në bazë të kësaj, AKK-ja sipas dëshmitarit ka konstatuar se zyrtarja e lart ka qenë e vetëdijshme se duhet të bëjë deklarimin e pasurisë me marrjen e detyrës mirëpo një gjë të tillë nuk e ka bërë për çka edhe është parashtruar kallëzim penal ndaj saj. Tutje, dëshmitari deklaron se e pandehura ka qen e njoftuar nga zyrtarja e Ministrisë për obligimin mbi deklarimin e pasurisë si dhe për shtyrjen e afatit nga AKK-ja për deklarimin e pasurisë deri me 19 qershor 2020”, thuhet në aktakuzë.

Për vonesa në deklarimin e pasurisë e deklarime të rrejshme, në të kaluarën janë ballafaquar me drejtësinë edhe zyrtarë tjerë të lartë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit