Mbrojtësi Trent Alexander-Arnold ka folur hapur për përballjen e ardhshme të Real Madridit me ish-klubin e tij, Liverpoolin, në Ligën e Kampionëve.
Anglezi u largua nga “Reds” si agjent i lirë në verë për t’iu bashkuar “Galaktikëve”, kurse dy gjigantët evropianë do të përballen në “Anfield” nesër (e martë) mbrëma.
“Ishte e qartë që do të ndodhte. Që në momentin kur doli shorti, të gjithë e dinin se do të vinte kjo ndeshje – ishte si e shkruar”.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, sidomos për shkak të atmosferës dhe pritjes që do të na bëhet”.
Kur u pyet nëse do të festonte në rast se do të shënonte kundër Liverpoolit, ai u përgjigj: “Nëse do të shënoja, nuk do të festoja. Jo”.
Alexander-Arnold theksoi gjithashtu se pavarësisht rezultateve të fundit, Liverpool mbetet një skuadër e madhe.
“Edhe pse nuk kanë pasur rezultatet më të mira së fundmi, ata janë ende një ekip i madh dhe askush këtu nuk mendon se do të jetë një ndeshje e lehtë”.
Sa i përket pritjes që mund të marrë nga tifozët e Liverpoolit, shtoi se gjithnjë do ta mbështet skuadrën angleze.
“Çfarëdo mënyre të më presin, është zgjedhja e tyre. Unë do ta dua gjithmonë klubin, do të jem gjithmonë tifoz i Liverpoolit. Jam përjetësisht mirënjohës për mundësitë që më dhanë dhe për gjithçka që arritëm bashkë – ato kujtime do të më shoqërojnë gjithë jetën. Nuk ka rëndësi si do të më presin, ndjenjat e mia ndaj klubit nuk do të ndryshojnë kurrë”.






