Arsenali ka vazhduar me fitore edhe në xhiron e dytë të Premierligës, kësaj radhe duke mposhtur një kundërshtar aspak të lehtë, siç është Aston Villa.
Në Villa Park, Topçinjtë fituan me rezultat 2:0, me të dy golat të shënuar në pjesën e dytë.
Pjesa e parë e takimit ishte në të mirë të skuadrës së Mikel Artetës, duke dominuar posedimin e topit, por që raste shumë të mira nuk erdhën nga asnjëra palë, dhe me rezultatin 0:0 shkuan në pushim.
Futboll më i barabartë u zhvillua në pjesën e dytë, madje Aston Villa rrezikoi shumë për të dalë e para në epërsi, por David Raya ishte në vend për ta shpëtuar skuadrën e tij.
Pas atij rasti, Arsenali u këndell dhe filloi të kërkonte fitoren me ngulm.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 67-të, kur Trossard shënoi vetëm dy minuta pasi u aktivizua, i asistuar nga Gabriel Martinelli.
10 minuta më vonë, Bukayo Saka, asistoi për Thomas Partey, me këtë të fundit që me një goditje shumë teknike, e mposhti Emi Martinezin, për ta dyfishuar epërsinë.