Gazetari i njohur, Nuhi Bytyqi, ka folur për punën e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe për raportimet e tij për ngjarjet e asaj kohe, duke thënë se i ka paraqitur ato ashtu siç kanë ndodhur.
“Është detyra ime ta paraqes atë që kam raportuar nga zonat e luftës ashtu siç është. Por, siç kam thënë edhe para gjykatës, qëllimi ka qenë ta afirmoj luftën drejtë të UÇK-së. Jam i bindur se nuk mund të shërbejë libri im, i cili është kontestues, për të akuzuar luftëtarët e lirisë,” u shpreh Bytyqi.
Ai theksoi se ngjarjet i ka dokumentuar dhe shkruar sipas përvojës dhe perceptimit të tij, duke shtuar se pikëpamjet e tij janë personale, por synojnë të shërbejnë si mbështetje dhe mbrojtje historike për luftën çlirimtare.
“Ngjarjet i kam shkruar si i kam parë me syrin tim. Pikëpamjet e mia besoj se do të shërbejnë për mbrojtjen e luftës dhe dokumentimin e së vërtetës,” tha ai.
Bytyqi kritikoi punën e Prokurorisë së Specializuar, duke theksuar se, sipas tij, nuk janë marrë parasysh të gjitha rrethanat dhe provat që ai ofroi.
“Prokuroria nuk ka marrë parasysh të gjitha rrethanat. Unë i kam ofruar xhirime konkrete për dëshmitarët e masakrave në të gjithë Kosovën, por kjo nuk është marrë parasysh fare. Kjo flet për një tendencë të qartë të Prokurorisë që don ta kriminalizojë luftën drejtë të UÇK-së,” deklaroi gazetari.






