Ndërmarrja Publike Banesore ka mohuar se Policia e Kosovës ka bastisur zyrat e saj mëngjesin e së mërkurës.
Arbnor Neziri nga kabineti i kryeshefit të NPB-së, në një konferencë për media ka thënë se jozyrtarisht kanë mësuar se bëhet fjalë për bastisje te ish-menaxhmenti i ndërmarrjes.
“Mund të ju konfirmojmë që bastisjet te zyrat e NPB-së nuk ka. Mund të ketë edhe siç jam informuar në media tek ish-menaxhmenti i ndërmarrjes”, ka deklaruar Neziri.
Ai tutje është shprehur se nuk kanë informacione të sakta për numrin e zyrtarëve tek të cilët janë kryer bastisje.
“Nuk kemi informacione të sakta për numrin e zyrtarëve dhe as nuk kemi informacion zyrtar nga policia”, ka thënë Neziri.
Policia është duke kryer bastisje në disa lokacione në Prishtinë e Podujevë.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë duke realizuar disa operacione policore, kontrolle në disa lokacione.
Pas përfundimit të operacioneve, do të bëhen të ditura detajet shtesë rreth këtyre operacioneve policore”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi