![Nottinghami zgjohet vonë, Nketiah e Saka i dhurojnë fitoren e parë Arsenalit Nottinghami zgjohet vonë, Nketiah e Saka i dhurojnë fitoren e parë Arsenalit](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2023/08/5nRUS9KJQE8wXUs.jpg)
Arsenali e nis fitore sezonin e ri në Premier League, teksa iu impoua 2-1 Nottingham Forestit në “Emirates”. Një fitore e ngushtë, që nuk reflekton dominimin në lojë dhe rastet e shumta që krijuan “topçinjtë”.
Skuadra e Artetës e pa veten në epërsi të dyfishtë pa pasi kishte kaluar gjysmë ore lojë falë golave të Nketiah dhe Sakah, njëri më i bukur se tjetri.
U dha përshtypja se “topçinjtë” do të shënonin gola të tjerë për një fitore me të thellë, por ndodh krejt e kundërta.
Në minutën e 82-të miqtë i kapën në befasi vendësit falë një kundërsulmi vrastar, por më pas nuk pati më ndryshim rezultati.
Arsenali mori tri pikët e para, por përtej volumit të lojës dhe rasteve të shumta të krijuara tregoi mangësi në finalizim, duke shpërdoruar mundësi të shumta për të mbyllur ndeshjen më herët.
Epërsi e dyfishtë e Arsenalit ndaj Nottingham Forest brenda 32 minutave lojë.
Në të 26-tën, Nketiah realizon me një goditje të saktë brenda zonës, pas një asisti perfekt të Martinellit.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, talenti i “topçinjve”, Saka, dhuron spektakël me një goditje të kalibruar nga jashtë zonës, me topin që nuk mund të kontrollohet nga portieri i Forest, 2-0.
Miqtë rihapën ndeshje tetë minuta para fundit të kohës së rregullt me Awoniyi, që përmbylli me gol një kundërsulm të shpejtë të nisur që nga zona e tyre.