Ekspertët e sigurisë kanë ngritur alarmin për rrezikun e vazhdueshëm që i kanoset Kosovës pas incidenteve të fundit në veri, duke theksuar rëndësinë e marrjes së masave parandaluese dhe adresimit të sfidave në një mjedis të brishtë sigurie.
Ata kanë shtuar se stabiliteti mund të rrezikohet nëse nuk ka një harmonizim apo garanci nga ndërkombëtaret për ndëshkimin e autorëve të sulmeve.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se pas sulmit të fundit që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok, vendi ende nuk është imun nga sulmet e mundshme.
“Pa dyshim na është dëshmuar për një fragjilitet në kuptimin e sigurisë, por që organet e rendit, ato ligj zbatuese kanë ndërmarr të gjitha veprimet maksimale pas rastit duke shtuar nivelin e gatishmërisë, prezencën e forcave të shtuara të sigurisë në pjesën veriore. Pa dyshim nuk mund të themi që jemi imun nga sulmet e mundshme, pa dyshim që do të karakterizohet nga zhvillimet politike në arenën ndërkombëtare dhe që këto zhvillime politike kryesisht në Bruksel që janë duke u zhvilluar, po zhvillohen dhe priten që të zhvillohen, do të kenë derteminimet e caktuara dhe impakt në dimensionalizimin e çështjeve të sigurisë që mund të jetë deri të prishja e ekuilibrit aktual të sigurisë dhe mund të përballemi me sulme të reja në rast se nuk kemi ndonjë harmonizim apo ndonjë garanci nga faktori ndërkombëtar që atentatorët, individi, apo grupi dhe urdhërdhënësi që në rastin e infrastrukturës kritike si sulm terrorist nga shteti i Serbisë, të vihen para drejtësisë”, ka thënë ai.
Ai shtoi se kërcënimet e fundit, përfshirë sulmet ndaj infrastrukturës kritike, janë një strategji politike e Beogradit për të ruajtur ndikimin mbi serbët në veri të Kosovës.
“Këto veprime mund të karakterizohen në aspektin politik për të qenë prezent Beogradi tutje në pjesën e involvimeve në jetën publike qytetare të pjesës veriore. Në aspektin dimensional është një mesazh që komuniteti serb do të duhet të rikthehen drejt bashkëpunimit me komunitetin me Listën Serbe, për të garantuar prezencën e mëtutjeshme të politikës së Beogradit brenda hapësirës publike politike të Kosovës”, ka thënë ai.
Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, e cilësoi situatën si një vazhdim të “luftës hibride” të udhëhequr nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai shtoi se Vuçiqi po ndjek një strategji për të krijuar realitete të reja, sidomos pas dobësimit të Listës Serbe në pjesën veriore.
“Aspekti i ekstremisteve serb në krye me Vuçiq, pra presidentin të një vendi fqinjë është që ta destabilizojnë Kosovë dhe ta bëjnë shtet jo funksional duke prodhuar çdo herë edhe forma të tilla, është një vazhdim i luftës hibride të Vuçiq në Kosovë. Ai e bënë këtë sepse dëshiron që ta mbaj në aktualitet pjesën e veriut të Kosovës për ta shkëputur me të gjitha format duke u munduar që të krijoj realitete të reja. Është edhe për shkak të zgjedhjeve nga se Lista Serbe ka rënë nga përqendrimi nga komuniteti serb në Kosovë, mendoj që partitë liberale të tjera serbe do të vijnë më shumë në shprehje dhe do të jenë në trysni të vazhdueshme siç kanë qenë legjislatura e kaluar. Gjithë kjo tregon që Vuçiq vazhdon që te jetë Putini i vogël në Ballkan me sistemin e luftës hibride”, ka thënë ai.
Ibishi paralajmëroi për nevojën e një vlerësimi më të kujdesshëm të rreziqeve dhe për masa mbrojtëse më të forta, sidomos në kohë festash.
“Kjo tregon se duhet të jemi shumë kujdes edhe me vlerësimin e rrezikut, me krijimin e planeve të mbrojtjes por edhe me mbulim e terrenit edhe në kohën e natës kur po ndodhin këto. Pra, jo vetëm sulmin e infrastrukturës kritike, por edhe sulmet me bomba edhe në komunë edhe stacionin policor. Unë mendoj që do të jenë të intensitetit të ulët nga se veç janë ndërmarr masa parandaluese të mbulimit të terrenit. Duhet që të jemi shumë të kujdesshme në lidhje me festat e viti të ri, ku mund të vije deri të koncentrimi i qytetarëve në vendet e caktuara ku mund të ndodh një mundësi e shpërthimit në këto vende”, ka thënë ai. /EO/