6.4 C
New York
Tuesday, February 25, 2025

Buy now

Njohësit e drejtësisë e shohin vështirë të realizueshme padinë për gjenocid ndaj Serbisë

- Advertisement -

Për krimet që i kreu në Kosovë në vitet 1998-99, Serbia pritet të paditet nga Kosova në instancat ndërkombëtare të drejtësisë.

Këtë para pak muajsh e kishte konfirmuar edhe vet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila pati thënë se po punohet me ekspertë për të hartuar lëndën e padisë për gjenocid.

Televizioni gjatë së mërkurës ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë rreth këtij procesi, por nuk ka marrë përgjigje.

Njohës të fushës së drejtësisë vlerësojnë se dorëzimi i një padie të tillë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është çështje problematike, kjo për faktin që Kosova nuk është pjesë e OKB-së.

“Në kuptimin formal nuk ka bazë ligjore që Kosova të parashtrojë një padi për gjenocid në GjND pasi që parakusht për dorëzimin e kësaj padie është që Kosova të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara”, thotë avokati, Asdren Bytyqi.

Nga Fondi për të Drejtën Humanitare thonë se është një mundësi që Kosova të ngrejë padi në GJND, por përbërja e kësaj gjykate jep skepticizëm për rezultat pozitiv.

“Kosova të paraqet, të parashtrojë një deklaratë e cila e pranon juridiksionin e kësaj Gjykate dhe lidhur me këtë deklaratë duhet të vendosin shtetet e Këshillit të Sigurimit. Por mos të harrojmë që kjo Gjykatë i ka gjithmonë 15 anëtarë që përzgjidhen për 9 vjet dhe në mesin e këtyre gjyqtarëve janë nga Kina, Brazili”, tha Amer Alija, monitorues në Fondin për të Drejtën Humanitare.

Alija përmend edhe faktin që ndaj kriminelëve serbë të luftës, të gjykuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar, nuk ka pasur akuza për gjenocid.

“Krimet të cilat u janë vënë në barrë eprorëve serb të cilët janë dënuar dhe gjykuar nga kjo Gjykatë, ata kryesisht janë dënuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit”, shtoi ai.

Padi për gjenocid ndaj Serbisë në të kaluarën kanë ngritur edhe Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina. /Teve1/

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit