Nga 19 korriku e deri më 19 gusht, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nuk do të mbahet asnjë seancë. Institucioni gjyqësor është në pushim veror. Avokatët dhe njohës të sistemit të drejtësisë deklarojnë se përveç pushimeve të gjata, zvarritjet në këtë proces janë të shumta.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, tashmë kanë shkuar në pushim veror. Për një muaj nuk mbahet asnjë seancë.
Për avokatin e licencuar nga Specialja, Taulant Hodaj, procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, po zhvillohet shumë ngadalë. Nëse do të ketë marrëveshje për përshpejtim të procedurave, avokati thotë se gjykimi i shkallës së parë mund të përfundojë vitin e ardhshëm.
“Besoj që edhe në të ardhmen do të ketë marrëveshje ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes që të konsiderohen të lexuar disa dëshmitarë ose prokuroria do të tërhiqet në mënyrë që të procedojë sa më shpejt dhe të kryhet gjykimi në shkallën e parë. Është i ngadalshëm por nëse nuk merren masat atëherë do të marrë dy vite e edhe më shumë kohë, por nëse ka pajtim paraprak që të tërhiqen nga disa dëshmitarë, mund të kryhet edhe vitin tjetër””, tha për RTK, Taulant Hodaj avokat i licencuar nga Gjykata Speciale.
Përveç kësaj, i gjithë procesi gjyqësor është karakterizuar vazhdimisht me seanca të mbyllura. Avokati Hodaj nuk beson se ka në histori të drejtësisë, që një gjykim ka aq seanca private, pasi në parim gjykimet janë publike.
Kurse nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se për shkak të planifikimeve jo të duhura të Prokurorisë së Speciales dhe mbrojtjes së të akuzuarve, procesi po ecën shumë ngadalë.
“Prokuroria ka zvogëluar numrin e dëshmitarëve dhe një pjesë të dëshmitarëve është vetëm duke i deponuar dëshmitë dhe nuk është duke i ftuar për t’i marrë në pyetje. Këto veprime e përshpejtojnë procesin. Mirëpo mendimi jonë është që me arsyen që të përshpejtohet ky proces dhe në këtë rast të ketë dëmtime dhe të mos ketë vendime meritore. Ne vlerësojmë që kjo nuk duhet të ndodhë por që procesi të përshpejtohet në atë mënyrë që të mos dëmtohet procesi”, tha për RTK, Astrit Kolaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Trupi gjykues, prokuroria, mbrojtja, të akuzuarit, dëshmitarët e të tjerë do t’u kthehen seancave gjyqësore më 19 gusht.