Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë.
Ky vendim është marrë pas raportimeve për parregullsi të evidentuara gjatë procesit, ku komisionerët kanë ndërprerë numërimin për shkak të mospërputhjes së numrave serikë në disa fletëvotime. Fillimisht është dyshuar për gabim teknik, por janë paraqitur edhe pretendime për mundësi manipulimi të qëllimshëm.
Sipas njoftimit, numërimi do të qëndrojë i pezulluar derisa të pritet përgjigjja zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet, për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për një gabim teknik apo për ndërhyrje të qëllimshme.






