Pas një alarm për bombë të raportuar sot paradite, Njësiti K-9 i Policisë së Kosovës ka hyrë brenda ambientit të Kuvendit të Kosovës për të kryer kontrollin e detajuar të hapësirave.
Njësiti special me qen të trajnuar për zbulimin e materialeve eksplozive po punon për të verifikuar nëse kërcënimi është i bazuar apo jo.
Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar rastin duke dhënë detaje se informata ka ardhur përmes një sms-i.
“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet”, tha Kelani.
Policia e Kosovës, ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në Kuvend.