4.4 C
New York
Wednesday, February 18, 2026

Buy now

Njeriu që shpalli Pavarësinë, 18 vjet pas mbron luftën e UÇK-së: Hashim Thaçi ‘dridh’ muret e Hagës (VIDEO)

- Advertisement -

Presidenti i Kosovës që 18 vjet më parë lexoi fjalimin për aktin historik të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sot qëndroi krenar përballë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku bashkë me shokët, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, e Rexhep Selimin, dhanë fjalët përfundimtare, në mbrojtje të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë moment me peshë historike, ish-presidenti iu drejtua trupit gjykues, Zyrës së Prokurorit të Specializuar, por edhe popullit të Kosovës, për kauzën çlirimtare, rrugëtimin drejt lirisë, e vërtetë kjo që ndryshoi përgjithmonë fatin e vendit, raporton Klankosova.tv

Fjalimin e nisi me urimin për Pavarësinë dhe e vazhdoi me deklarimin për pafajësinë e plotë për të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritura nga ZPS.

“Të nderuar gjyqtarë, për vjet vite në këtë sallë të gjyqit i keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju i keni parë faktet, ju e keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë: akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm.”

Qysh në fillim, Thaçi i hodhi poshtë pretendimet e kësaj Prokurorisë se ka pasur qëllime që ta merrte kontrollin në Kosovë.

Njeriu që po planifikonte gjenocidin ishte krimineli Sllobodan Millosheviqi, tha ish-presidenti, transmeton Klankosova.tv

“Në kohën e masakrave në Qirez, Prekaz e Likoshan në fillim të vitit 1998 unë isha student në universitetin e Zurihit, dhe atëherë nuk po bëja plane për ta marrë kontrollin në Kosovë, por për t’i kaluar provimet. I vetmi njeri i cili po bënte plane morpide ishte Sllobodan Millosheviqi. Duke i parë masakrat në vendim tim nuk mund të qëndroja indiferent dhe vendosa të vij në Kosovë.”

Për kthimin në Kosovë, Thaçi tha se nuk është fare pishman, sepse siç i tha trupit gjykues, ka bërë atë që do ta bënte secili shqiptar.

“Nuk mund të qëndroja anash ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosje. Bëra atë që do ta bënte secili. Për këtë jam shumë krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë”, tha ai.

Prandaj, ai tha se pretendimet e Prokurorisë përveç absurde dhe të pavërteta, janë edhe ofenduese, ndaj heronjve që e dhanë jetën për liri, raporton Klankosova.tv

 “Prokuroria pretendon se qëllimi ishte marrja dhe ushtrimi i kontrollit të Kosovës. Është plotësisht e pavërtetë, absurde dhe thellësisht ofenduese. Është ofendim për kujtimin e mijëra heronj që dhanë jetën për liri, është ofendim për viktimat e pafajshme të vrarë gjatë masakrave. Është ofendim dhe e padrejtë dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët unë bashkëpunova ngushtë.” – u deklarua Thaçi.

Ish-kreu i UÇK-së tha se luftën e nisi Millosheviqi, ndërsa kosovarët po vetëmbroheshin.

“Isha në kontakt me zyrtarët e administratës amerikane. Sllobodan Millosheviq e nisi luftën në Kosovë, ne kosovarët po vetëmbroheshim. Por luftën mund ta përfundonte vetëm NATO dhe askush tjetër”.

Prandaj, ai tha se po mos të ishte NATO-ja, nuk do të kishte liri, duke shtuar se suksesi më i madh i Kosovës ishte bashkëpunimi i plotë i vendit me Perëndimin.

Bashkësia ndërkombëtare e kishte fjalën kryesore në Kosovë, shtoi ai, transmeton Klankosova.tv

 “Fakti që disa prej neve jemi gjallë, është fat. Unë nuk u riktheva për të rrezikuar jetën time për kontroll dhe atdhe, u ktheva për të rrezikuar jetën time për liri dhe paqe. Po të mos ishte NATO-ja, nuk do të kishte liri të Kosovës.”

Megjithatë, Thaçi u shpreh se populli kishte rezistencë dhe se UÇK ishte organizim popullur, roli i të cilës s’mund të zbehet.

“Unë nuk isha ai që e transportova rezistencës nga Perëndimi në Kosovë, unë e gjeta rezistencën në Kosovë. UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor që po mbrohej nga agresori. Roli i saj nuk zbehet asnjëherë”, tha Thaçi.

Në mbrojtjen e fuqishme të luftës, Thaçi tha se Kosova ishte më e rëndësishme se sa vetë fati i tij, raporton Klankosova.tv.

Ai rrëfeu si u bëri thirrje serbëve lokalë që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të ndërtojnë jetë me kosovarët, derisa theksoi se kjo nuk ishte aspak e lehtë për të.

“Por ishte gjëja më e drejtë dhe e duhur që mund të bëja. Kosova ishte më e rëndësishme se sa fati im personal. Gjatë kësaj kohe, i vetmi pushtet që kisha unë, ishte pushteti i zërit tim, unë përdora zërin tim për të promovuar një shoqëri shumë etnike e tolerante në vendin tim.

Kur në Kosovë hapeshin varre për mijëra viktima, të zhdukur nuk gjendeshin, mijëra pengje shqiptare ishin marrë me vete në Serbi, dhimbja ishte e thellë, e ajo që po bëja mund të kishte edhe pasoja fizike dhe elektorale”, deklaroi Thaçi.

Duke folur për pushtetin pas luftës, Thaçi tregoi për fitoret e tij në zgjedhje, koalicionet dhe bashkëpunimin me partitë politike shqiptare.

“Edhe kur kam ardhë në pushtet, kam ardhë me fitore elektorale. Kam respektuar tërë kohën normat demokratike dhe rezultatet e zgjedhjeve. Kurdo që partia ime ishte në pushtet, ishte gjithmonë në koalicion me LDK-në dhe partitë tjera politike shqiptare dhe jo shqiptare. Së bashku, e bëmë shtetin, Kosovën shtet.”

Në fund të deklarimit të tij, ish-komandanti i UÇK-së pati veç një lutje, që vendimi i Speciales të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Sepse, i vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë, u shpreh Thaçi.

“Në përfundim të këtij procesi, e kam vetëm një luftje të nderuar gjyqtarë për ju, që vendimi juaj të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, ligjet, provat dhe faktet. Provat e paraqitura e bëjnë të qartë se akuzat nuk qëndrojnë. Prandaj, i vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë. Ju faleminderit shumë!” /Klankosova.tv

 

Të ngjashme

Të fundit