27.1 C
New York
Wednesday, June 18, 2025

Buy now

‘Njeriu i VV-së’ drejt kapjes së pozitës së drejtorit të Thesarit, dyshime të mëdha për kurdisje të konkursit ku doli i pari

Lulzim Ismajli, njeriu i afërt me VV-në, ka dalë i pari në konkursin për pozitën Drejtor ekzekutiv i Thesarit.

Në konkursin e shpallur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transferave, Ismajli ka marrë 87.2 pikë.

Në listën përfundimtare të vlerësimit të kandidatëve, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, në testin me shkrim, Ismajli ka marrë 41.8 pikë, kurse në intervistë 45.4 pikë.

Gazeta ka mësuar se Ismajli është njeri i përkëdheluri nga shumë figura të larta të VV-së.

Burimet e gaztës Nacionale kanë bërë me dije se në gjitha procedurat e konkursit ai është favorizuar.

Të njëjtat burime kanë treguar se me konkursin në fjalë është marrë edhe zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi.

Lista përfundimtare për vlerësimin e kandidatëve është publikuar më 9 qershor.

Lista përmban këshillën juridike, e cila parasheh që kandidatët e pakënaqur me vlerësimin kanë të drejtën të ankohen në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) brenda afatit prej 30 ditësh.

Ende nuk dihet nëse dikush nga kandidatët do ta shfrytëzojë këtë të drejtë.

Zhvillimi i procedurave të këtij konkursi ka lënë shumë dyshime.

Konkursi në fjalë është shpallur më 22 mars, një ditë para se qeveria Kurti të dalë në fazën e qeverisë në detyrë.

Kjo është hera e dytë që shpallet ky konkurs, pasi që herën e parë kishte dështuar.

Gazeta Nacionale në fund të vitit të kaluar ka raportuar për anulimin e këtij konkursi.

Ministria e Financave, Punës dhe Transferave më 15 nëntor të vitit të kaluar kishte marrë vendim për anulimin e konkursit për pozitën Drejtor ekzekutiv i Thesarit.

Arsyetimi për anulimin e këtij konkursit dukej qesharak.

Në vendimin që e kishte publikuar gazeta Nacionale thuhej se gjatë procesit është paraqitur një problem teknik në sistem.

Sipas vendimit, për shkak të këtij problemi nuk ka mundur të aplikonte një kandidat, i cili edhe është ankuar.

Në vendim nuk tregohej se kush ishte kandidati që nuk kishte mundur të aplikonte. Por, në mesin e atyre që kishin aplikuar sa konkursi kishte qenë hapur nuk figuronte emri i Lulzim Ismajlit.

Arsyetimet e anulimit të atij konkursi dukeshin qesharake, ngase në të njëjtin konkurs kishin aplikuar pesë zyrtarë, të cilët nuk kishin hasur në ndonjë problem në procesin e aplikimit.

Lulzim Ismajli nuk është i preferuar i pushtetit vetëm për pozitën e drejtorit të Thesarit.

Qeveria Kurti, Ismajlin e ka përzgjedhur edhe për një pozitë tjetër shumë të rëndësishme.

Më 13 maj, ai është zgjedhur drejtor i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës.

Pas përfundimit me sukses të të gjitha procedurave të konkursit të hapur dhe transparent publik, Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës ka nënshkruar kontratën me Drejtorin e saj të parë Ekzekutiv, z. Lulzim Ismajli. Kandidati i përzgjedhur, i cili rezultoi më i vlerësuari ndër të gjithë aplikuesit, sipas procedurave të vlerësimit të miratuara nga Bordi Drejtues, vjen me një përvojë të gjerë dhe të dëshmuar në menaxhimin e institucioneve të rëndësishme në Republikën e Kosovës, si dhe me përfshirje të fundit profesionale në kuadër të USAID-it”, është thënë në njoftimin e kësaj ode.

Kjo odë është themelua më 21 dhjetor të vitit të kaluar nga një komision ministror, i cili përbehej prej disa ministrive.

Lajmin për themelimin e kësaj ode e kishte bërë publik ministri i Infrastrukturës, Luburn Aliu.

Së fundi, Ismajli ishte pjesë e një projekti të USAID-it që mbështeste Ministrinë e Shëndetësisë në disa fusha.

Kjo nuk është afërsia e vetme e Ismajlit me pushtetin e VV-së.

Në mars të vitit 2022, Qeveria Kurti kishte emëruar për anëtare të Bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes publike “Infrakos” bashkëshorten e Lulzim Ismajlit, Fitnete Dervisholli-Ismaili.

Të ngjashme

Të fundit