11.4 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

“Njerëz të tillë”, “interesa të fuqishme”: Anatomia e fjalëve brutale të Kurtit për rastin Klan Kosova

- Advertisement -

Fillimisht, është e rëndësishme të tregohet se ku e bëri reagimin e tij kryeministri i vendit. Pra, është e rëndësishme që në këtë rast të merremi me ‘teknikalitete’.

Kurti reagoi në Twitter, larg hapësirës më popullore në Internet të mbështetësve të tij në Facebook, dhe shkroi jo në gjuhën amtare por në gjuhën angleze.

Një gjë të tillë besohet ta ketë bërë pas reagimeve të shumta që i erdhën nga organizata ndërkombëtare.

“Nuk është teknikalitet”

Një pjesë e madhe njerëzish vazhdimisht kishin dyshuar se prapa përpjekjes së pushtetit për të mbyllur mediumin Klan Kosova qëndronte vetë Albin Kurti, e jo vetëm ministrja Rozeta Hajdari.

Dhe, edhe reagimi i Kurtit praktikisht e dëshmon një gjë të tillë.

“Kosova i ka 468 biznese të regjistruara aktiviteti parësor i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio dhe audiovizuale.” – u shpreh kryeministri i vendit. Pra, ai po i thoshte organizatave ndërkombëtare se Kosova kishte shumë mediume dhe pluralizmi medial nuk do të prekej nëse njëra prej tyre mbyllej.

“Të respektosh rregullat e regjistrimit është detyrë ligjore, jo një ‘teknikalitet’.” – vazhdoi kryeministri duke e marrë mbi vete edhe zyrtarisht autorësinë e asaj që po ndodhte.

Trupa tjerë

Më pas, Kurti e vazhdoi reagimin e tij duke e dhënë edhe një leksion të shkurtër mbi demokracinë.

“Në një demokraci, trupat e autorizuar për të vendosur raste të tilla nuk bëjnë pjesë në Zyren e Kryeministrit.” – tha ai, pa treguar që ‘trupi’ që po vendoste për këtë rast ishte motra e deputetit të partitë së tij, Enver Halitit, Lebibja. Madje, ajo ishte emëruar në pozicionin për të vendosur mbi këtë rast pikërisht pasi paraardhësja e saj ishte shkarkuar për rastin e Klan Kosovës.

“Sidoqoftë,” – vazhdoi kryeministri menjëherë në fjalinë pasuese, “…këta trupa kanë mbështetjen e plotë të Zyres tonë për të performuar detyrat e tyre, në ballë të interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur që janë rreshtuar kundër tyre.”

Interesa të fuqishme e biznesmenë të pasur. Po pra, çështja ishte personale. Dhe Kurti duket se përtoi edhe që ta fshihte në këtë rast. Çështja ishte biznesmeni Shkëlqim Devolli.

Por

Ka edhe një ‘por’ tjetër në këtë reagim “poresh”.

Kryeministri shkroi se “liritë e mediave janë vitale” dhe se sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë para se ta thoshte ‘por’-in e radhës.

“Por demokracia po ashtu sulmohet kur biznesmenët e fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare.” – vazhdoi ai, për të përfunduar me këto fjalë:

“Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve nga njerëz të tillë në asnjë mënyrë nuk përbën sulm ndaj lirisë së mediave.”

Çka na thotë kjo?

Janë vetë fjalët e përdorura nga kryeministri i vendit që flasin shumë për përpjekjen e pushtetit për të mbyllur Klan Kosovën.

Ai provon që të ndërtojë idenë se çështja nuk është mes pushtetit dhe lirisë së mediave por mes “biznesmenëve të fuqishëm”, “njerëzve të tillë”, “interesave të fuqishme”, “shkeljeve” dhe ligjit që s’është kurrqysh ‘teknikalitet’.

Reagimi i Kurtit përsëri ishte paragjykues dhe nuk ofroi ndonjë provë që do ta bënte veprimin e tij tmerrues ndaj demokracisë më bindës.

Për çdo rast, Kurti e mori fajësinë dhe tashmë askush nuk mund të thotë që në këtë dëmtim tmerrues të demokracisë ai nuk ishte i përfshirë. /Nacionale/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit