Kandidati i PDK-së për deputet me numrin 110, Abelard Tahiri, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës synon të formojë qeverinë e ardhshme me LDK-në, duke premtuar profesionalizëm dhe transparencë. Ai kritikoi ashpër qeverinë aktuale, duke thënë se gjatë mandatit të Albin Kurtit ka pasur ndërhyrje joformale dhe ndikim të individëve me të kaluar të dyshimtë në kompani publike dhe pasuritë shtetërore.
“PDK-ja do ta formojë qeverinë e ardhshme, besoj me LDK-në, dhe qytetarët do të shohin një profesionalizëm ndryshe. Me PDK-në në qeverisje nuk do të ketë ministra në hije, siç ka pasur në qeverinë Kurti, dhe nuk do të kemi njerëz që nuk e dimë nga vijnë dhe çfarë të kaluar e kanë,” tha Tahiri në Click të RTV21.
Duke marrë si shembull Dejona Mihalin, Tahiri shtoi:
“E kemi pasur një zonjë që vjen nga Shqipëria, e cila udhëhiqte Korporatën Energjetike. Ajo i tregonte drejtorit të korporatës se kur duhet të shitet energjia elektrike dhe kur duhet të blihet. Ishte një person që i kishte futur duart në kompaninë më të madhe të Kosovës, në pasurinë tonë me thëngjill. E pamë që të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në Ibër-Lepenc. Kemi një strukturë kriminale që menaxhon me pasuritë tona, kjo është fakt, nuk e kemi zbuluar ne. Pyetja është pse nuk ka aktakuza për këta njerëz,” tha Tahiri.






