Një zjarrfikës është dërguar për tretman mjekësor, pasi që është lënduar duke lokalizuar zjarrin që përfshiu disa objekte sot në Lipjan.
Nga zjarri për pasojë është djegur një objekt me ushqim për kafshë, një pajisje bujqësore, dhe dy serra.
Lajmin për teve1.info e ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila njoftoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e zjarrfikësve, të cilët janë duke punuar për shuarjen e zjarrit.
Gjithashtu, në vendin e ngjarjes prezent janë edhe njësitë policore.
“Sot rreth orës 19:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në Lipijan. Bazuar në të dhënat e deritanishme, nga zjarri janë përfshitë dy objekte ( një me ushqim për kafshë dhe një me pajisje bujqësore) si dhe dy serra. Në vendngjarje janë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Për shkak të tymit, tretman mjekësor ka pranuar një zjarrfikës. Aktualisht ekipet e zjarrfikësve po vazhdojnë punën për lokalizimin e zjarrit”, tha Ahmeti.