23.3 C
New York
Monday, August 18, 2025

Buy now

“Një zgjidhje qëllimmirë, por jo bindëse” – Kryeziu analizon vendimin e Gjykatës Kushtetuese

- Advertisement -

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka komentuar aktgjykimin e fundit të kësaj gjykate lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një “arrnim kushtetues” që, megjithatë, mund të ndihmojë në tejkalimin e krizës institucionale.

Sipas Kryeziut, Gjykata Kushtetuese ka lënë shumë hapësirë për të justifikuar mungesën e një sqarimi të qartë në aktgjykimin e 26 qershorit, sidomos sa i përket çështjes nëse praktikat parlamentare nënkuptojnë votim të hapur.

“Një përcaktim i qartë më 26 qershor do të kishte ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe do të na kursente nga dramat politike të gjashtë javëve të fundit”, deklaroi Kryeziu.

Ai theksoi se në këtë vendim, Gjykata ka qenë e kujdesshme, duke mos e mohuar ligjshmërinë e votimit të fshehtë, por njëkohësisht ka orientuar procedurën drejt votimit të hapur për shkak të mungesës së konsensusit parlamentar.

Sa i përket kufizimit të nominimit të një kandidati për kryetar Kuvendi deri në tre herë, Kryeziu vlerësoi se Gjykata nuk ka dhënë argumente bindëse juridike për këtë vendim.

“Është një zgjidhje procedurale e përkohshme, qëllimmirë, por jo plotësisht bindëse,” – tha ai, duke shtuar se përgjegjësia për sqarimin e mëtejshëm bie mbi Kuvendin, i cili duhet të rregullojë qartë procedurat nëpërmjet Rregullores së Punës.

Duke folur për hapat e ardhshëm proceduralë, Kryeziu theksoi se kryesuesi i Kuvendit duhet të thërrasë sa më parë seancën konstituive, në të cilën grupi më i madh parlamentar duhet të propozojë kandidatin e tij për kryetar Kuvendi.

Nëse një kandidat dështon të zgjidhet në tre raunde votimi brenda afatit 30-ditor, atëherë grupi duhet të propozojë një emër tjetër, duke rifilluar të gjithë procedurën nga e para.

“Edhe pse Gjykata nuk mund të japë zgjidhje juridike për problemet politike të kësaj legjislature, topi është përsëri te deputetët. Aktgjykimi është final dhe partitë politike, sipas traditës, do ta zbatojnë atë në përpikëri,” përfundoi Kryeziu.

 

Të ngjashme

Të fundit