Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Yllka Berishës, duke e dënuar me një vit burgim dhe dënim plotësues ndalimi i drejtim të automjetit në kohëzgjatje prej dy vitesh, për akuzën se shkaktoi aksident më 26 shkurt të vitit të kaluar, ku mbeti i vdekur një këmbësor.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të enjten, gjyqtari Driton Berisha.
Gjyqtari Berisha njoftoi se të akuzuarës Berisha në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtepiak.
Ndaj vendimit të Themelores, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit, shkruan Betimi për Drejtësi transmeton Klankosova.tv.
Sipas aktakuzës së ngritur më 17 korrik 2024 nga Prokuroia Themelore në Prishtinë, e akuzuara Yllka Berisha më 26 shkurt 2024, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, nga pakujdesia e derisa ishte duke ngasur veturën e saj, ka vepruar në kundërshtim me nenin 53 LRTRR-së, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë gjatë kthimit gjysmërrethor, duke mos u siguruar se një veprim i tillë mund të paraqes rrezik jo vetëm për veten e vet, por edhe për pjesëmarrësit tjerë në trafik dhe duke mos pasur përqendrimin e duhur rreth drejtimit të automjetit, nuk kishte marrë harkun e nevojshëm për kthim gjysmërrethor në mënyrë të sigurt.
Aktakuza thotë se në kthim e sipër duke parë rrezikun frenon vrullshëm dhe nuk mund të ndalet, vazhdon derisa kalon mbi trotuar dhe mbi shtegun për çiklistë, pastaj vazhdon derisa me pjesën ballore të automjetit e kishte goditur shtyllën e semaforit që është ngjitur me vendkalim të këmbësorëve, me atë rast shtylla e semaforit ishte anuar dhe si pasojë me pjesën e sipërme e kishte goditur në kokë kembësorin- tani të ndjerin Sh.H., i cili në atë moment ishte duke qëndruar në vendkalim të këmbësorëve në afërsi të semaforit, me qëllim që të kalojë rrugën. Si pasojë e aksidentit, këmbësori kishte pësuar lëndime të rënda trupore me pasoja vdekje në vendin e aksidentit.
Për këto veprime, e akuzuara Berisha ngarkohej me veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 370, par.9 lidhur par 6 dhe par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.