1.1 C
New York
Tuesday, February 10, 2026

Buy now

Një proces gjyqësor që shkon përtej individëve

- Advertisement -

Shkruan Aurora Pirraku Nika, politikane në Suedi

Procesi gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën një nga momentet më të ndjeshme juridike dhe historike për popullin shqiptar.

Kërkesa e Prokurorisë për dënime deri në 45 vite burgim ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerë, shihet nga shumë shqiptarë jo vetëm si një proces penal ndaj individëve, por si një çështje që prek dinjitetin dhe kujtesën kolektive të një populli të tërë.

Lufta në Kosovë u përjetua nga shumica e popullsisë shqiptare si një luftë për mbijetesë dhe liri. Familje të tëra përjetuan dëbime masive, vrasje, zhdukje, tortura dhe trauma të thella që vazhdojnë të ndikojnë brezat edhe sot. Si kriminologe dhe specialiste e traumës, jam e vetëdijshme se drejtësia është thelbësore — por ajo duhet të jetë e balancuar, e paanshme dhe e ndjeshme ndaj kontekstit historik në të cilin ndodhën ngjarjet.

Kur kërkohen dënime kaq të rënda ndaj figurave që për shumë qytetarë simbolizojnë rezistencën dhe mbrojtjen e popullit të tyre, kjo perceptohet si më shumë sesa një çështje juridike. Për shumë shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë, kjo është një çështje që i përket secilit prej tyre.

Unë besoj fuqishëm në sundimin e ligjit dhe në parimin e përgjegjësisë individuale. Megjithatë, drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjitha palët, në mënyrë që të mos krijojë perceptimin e dënimit kolektiv apo të njëanshëm.

I bëj thirrje institucioneve në Hagë dhe komunitetit ndërkombëtar që ky proces të zhvillohet me transparencë të plotë, paanshmëri dhe me respekt për kontekstin historik të konfliktit. Paqja dhe stabiliteti afatgjatë në rajon varen nga një drejtësi që shihet si e drejtë dhe e balancuar.

Kjo nuk është thirrje kundër drejtësisë.
Është thirrje për drejtësi të plotë, të përgjegjshme dhe të ndjeshme ndaj historisë dhe dhimbjes së një populli.

Të ngjashme

Të fundit