Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është sulmuar mëngjesin e sotëm derisa po udhëtonte për në Gjermani. Polici nga Podujeva, që gjatë udhëtimit ishte jashtë detyrës zyrtare, po udhëtonte drejt Gjermanisë.
Veçse, udhëtimi iu ndal në gjysmë pasi i njëjti u sulmua nga pjesëtarë të Policisë kufitare të Serbisë.
Burime të Gazetës Sinjali, bëjnë me dije se pjesëtari i Policisë së Kosovës, i cili është sulmuar sot nga Policia serbe në zonën kufitare mes Kosovës e Serbisë është Abdullah Zeqiri.
Abdullah Zeqiri, më herët ka qenë pjesë e njësisë speciale operative, derisa tash është pjesë e njësisë e reagimit të shpejtë në Policinë kufitare në Veri.
Zeqiri në të kaluarën ka qenë pjesëtar i UÇK-së.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se Zeqiri është sulmuar pas hyrjes në territorin e Serbisë për afro 400 metra.
Sipas informacioneve, pjesëtarin e Policisë kosovare, pala serbe tentoi ta nxjerrë jashtë autobusit duke e quajtur ‘terrorist’, për shkak se i njëjti ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas rezistimit të tij, ai është sulmuar nga disa policë kufitarë të Serbisë, veçse ka arritur të ikë duke e kaluar kufirin për në Kosovë në këmbë.