Vinicius Junior ka kaluar kohë të vështira te Real Madridi kohët e fundit, dhe duket se disa tifozë po e shtyjnë drejt largimit nga klubi.
Braziliani nuk ka frikë të thotë atë që mendon, por kjo shpesh është parë si problem nga tifozët, të cilët besojnë se askush nuk është më i madh se vetë klubi.
Ekipet nga Arabia Saudite kanë shfaqur interes për Viniciusin prej kohësh, dhe vitin e kaluar ai u identifikua si objektiv kryesor për afatin veror 2026.
Real Madridi dëshiron ta mbajë yllin dhe prioritet mbetet rinovimi i kontratës së tij. Megjithatë, negociatat u pezulluan për një periudhë gjatë kohës kur Xabi Alonso ishte trajner i ekipit. Pavarësisht sfidave, klubi nuk ka hequr dorë nga plani për ta lidhur brazilianin me Santiago Bernabeun për një kohë të gjatë.
Oferta e miliardit
Së fundmi kanë dalë informacione që Vinicius ka një ofertë prej një miliard eurosh në tryezë nga klubi saudit Al Ahli, i cili ka shfaqur interes të madh për të.
“Edhe pse Vinicius ka deklaruar vazhdimisht se nuk dëshiron të largohet nga Real Madridi, skuadra e tij ka qenë në bisedime me sauditët për më shumë se një vit,” raporton Ben Jacobs.
Arabia Saudite e ka identifikuar Viniciusin si objektivin kryesor për verën e vitit 2026, dhe situata mbetet e paqartë ndërsa klubi madrilen përpiqet të bindë brazilianin të qëndrojë.






